Departamenti amerikan i Shtetit, publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku thuhet se në vitin 2019 Shtetet e Bashkuara arritën suksese të konsiderueshme në luftën kundër terrorizmit, por megjithatë kërcënime të rrezikshte të terrorizmit vazhduan në botë. Në raport thuhet se në mars Shtetet e Bashkuara së bashku me Koalicionin Global për të Mposhtur ISIS-in, përfunduan “shkatërrimin e të ashtuquajturit ‘kalifat’ në Irak dhe Siri”, si edhe përmendet operacioni ushtarak që solli si rezultat vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it Abu Bakr al-Baghdadit.

Po ashtu në raport thuhet se si pjesë e fushatës me presion maksimal ndaj regjimit Iranian – të konsideruar mbështetësin më të fortë shtetëror të terrorizmit – Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre vendosën sanskione të reja ndaj Teheranit dhe atyre që veprojnë në emër të tyre. Shtetet e Bashkuara gjithashtu e futën Gardën Revolucionare të Iranit, përfshirë njësinë e saj Kuds si Organizatë të Huaj Terroriste, hera e parë që një përcaktim i tillë bëhet për një pjesë të një qeverie tjetër.

Në raport thuhet se me gjithë këto suksese, kërcënime të rrezikshme terroriste vazhduan në gjithë botën. “Megjithëse IS IS-i humbi udhëheqësin e vet dhe territor, ky grup u përshtat dhe vazhdoi të luftojnë nga degët e veta kudo në botë dhe duke nxitur pasuesit e vet të ndërmarrin sulme”, thotë raporti.

Një tjetër përpjekje masive në vitin 2019 ishte ajo për riatdhesimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të ISIS-it dhe familjeve të tyre, për t’i parandaluar që të rikthehen në fushën e betejës. Që nga viti 2011, mbi 40,000 luftëtarë të huaj terroristë nga afro 100 vende kishin hyrë në Siri dhe Irak dhe rreth 2,000 prej tyre, ishin kapur dhe ndaluar nga Forcat Demokratike Siriane. Shtetet e Bashkuara vazhduan t’u bëjnë thirrje vendeve të tjera që të ndjekin shembullin e tyre dhe t’i riatdhesojnë qytetarët e tyre.

“Ne ndihmuam një sërë partnerësh ta bënin një gjë të tillë. Departamenti i Shtetit, dislokoi ekspertë teknikë në Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kirgistan, Maldive, Maqedoninë e Veriut dhe Trinidad dhe Tobago për të ndihmuar në zhvillimin e protokolleve dhe programeve për rehabilitimin dhe ri-integrimin e familjarëve të luftëtarve të huaj”, thuhet në raport.

Shqipëria

Në kapitullin e raportit për Shqipërinë thuhet se vendi “vazhdoi mbështetjen e forte për për përpjekjet e kundërterrorizmit në 2019 dhe kontribuoi tek Koalicioni Global për të Mposhtur ISIS-in”.

“Kërcënimi nga terrorizmi në Shqipëri konsiston tek luftëtarët të huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, radikalizimi nga terrorizim i të rinjve shqiptarë dhe komplotet e Iranit kundër grupit opozitar Mujahedeen-e-Khalq (MEK), anëtarë të të cilit strehohen në Shqipëri”, thuhet në raport.

Po ashtu raporti thotë se organet e rendit i rritën përpjekjet për të kundërvepruar ndaj kërcënimeve terroriste dhe se Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit mori pjesë në disa operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm. Raporti përmend faktin që në tetor policia njoftoi për parandalimin e sulmeve të planifikuara në vitin 2018 nga agjentë iranianë kundër anëtarëve MEK, që jetojnë në Shqipëri.

“Korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit mes agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm mes asgjencive dhe një sistem gjyqësor i dobët, vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjitt dhe rendit në të gjitha nivelet”, thuhet në raport. Zbatimi i reformave në sektorin e drejtësisë vazhdon, duke filluar me vetingun e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion , paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar, thuhet në raport.

Departamenti i Shtetit thotë se në 2019, Shqipëria miratoi legjislacion për të adresuar shqetësimet lidhur me “efektivitetin e ulët” në drejtim të konfiskimit, hetimit dhe ndjekjen ligjore për financat nga terrorizmi dhe sanksionet financiare (të ngritura nga Komisioni i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave). “Por zbatimi varet nga masa rregullatore të mëtejshme dhe veprime të qeverisë”, thuhet në raport. Në raport thuhet se qeveria vazhdon të jetë aktive në programet për të luftuar terrorizmin e dhunshëm.