Zona veriore e vendit ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë.Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga sipërfaqet e mbjella me gështenja ndërsa thekson se “për herë të parë në Shqipëri, po kryhet procesi i mirëmbajtjes dhe ruajtjes së këtij prodhimi, me mënyrat më efikase si në çdo vend të BE-së.

“Gështenja, burimi i pasur i ekonomisë rurale në veri, kërkon një kujdes të veçantë. Puna ka nisur dhe gështenjat e vendit, së bashku me mjaltin plot vlera të rralla kurative do të sjellin më shumë të ardhura për familjet e zonës më veriore të vendit”, – nënvizon Rama.

Kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet.Rrethi i Tropojës ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan, duke u shtrirë rreth Alpeve përmbi qytetin e Bajram Currit, bjeshkëve deri në Dragobi dhe vijon me masivin e vargmaleve të Shkëlzenit deri në njësinë administrative të Lekbibajt.Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2400 hektarë me rendiment mesatar rreth 40 kg për rrënjë.