Shoqata “Psikoaktiv” nga Mali i Zi ka bërë përpjekje të vazhdueshme që me psikoterapi online të trajtojë personat me shqetësime emocionale si pasojë e pandemisë COVID-19.

Me seanca të formave të ndryshme kjo shoqatë ka ndihmuar persona të shumtë, tek të cilët izolimi dhe distancimi fizik në kohën e pandemisë ka nxitur shkarkime të fuqishme emocionale që mund të jenë shqetësim për të ardhmen e shoqërisë.Izolimi dhe distancimi shoqërorë në kohën e pandemisë ka ndikuar në mënyrë të ndryshme tek njerëzit duke nxitur ndjenja të shumta për të ardhmen e tyre.

Përballë kësaj gjendje Shoqata “Psikoaktiv” nga Podgorica ka bërë përpjekje të vazhdueshme që me psikologji dhe psikoterapi të trajtohen njerëzit në nevojë. Kryetarja e kësaj shoqate, Hakile Resulbegu vë ne dukje se gjatë pandemisë u ofrua një ndihmë efikase.

“Shoqata e jonë “Psikoaktiv” është munduar që gjatë kohës së pandemisë COVID-19 tu ofrojë qytetarëve të Malit të Zi një ndihmë efikase. Në radhë të parë ka qenë ndihma psikologjike, ku aktivistët që kanë qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit ti dëgjojnë me vëmendje çdo problem të tyre dhe tiu ofrojnë një ndihmë konkrete. Kur janë shfaqur raste tejet të rënda, atëherë shoqata i ka udhëzuar tek Kryqi i Kuq dhe tek Instituti i Shëndetit Publik etj,” tha zonja Resulbegu.

Resulbegu, vuri në dukje, se psikoterapia online është bërë në forma të ndryshme duke iu përshtatur gjendjes emocionale të klientëve. Atyre u është krijuar hapësira të duhura për të shprehur mendimet dhe emocionet me qëllim që të reflektohet sa më mirë mbi ato.

“Fillimisht kemi bërë komunikimin indirekt përmes videove dhe incizimeve informative. Aty kemi folë për tema të ndryshme siç janë dhuna në familje, altruizmi, si të jemi në komunikim me njerëzit e afërt edhe gjatë kohës së qëndrimit në karantinë etj., Më vonë njerëzit në nevojë janë paraqitur direkt me mesazhe duke kërkuar që të bisedohet për çështje të ndryshme që i rëndojnë ata” tha zonja Resulbegu.

Shkarkimi emocional, sipas zonjës Resulbegu, paraqet një shqetësim për të ardhmen e shoqërisë. Ajo mendon se pozita socio-ekonomike do ta rëndojë edhe më shumë shëndetin mendor të njerëzve, prandaj trajtimi i kujdesshëm në këtë drejtim është i domosdoshëm për sanimin e pasojave nga pandemia COVID-19.