“Rinaldi” është një prej pikave të grumbullimit në Myzeqe që eksporto çdo ditë kamionë me fruta-perime shqiptare drejt tregjeve europiane. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, bën të ditur se, kjo pikë grumbullimi ka kontrata me rreth 500 fermerë të Lushnjës, Fierit, Roskovecit etj., dhe vijon eksportet bujqësore shqiptare drejt tregjeve të huaja.

Çuçi shprehet se, forcimi dhe mbështetja për pikat e grumbullimit ka qenë një politikë që po jep rezultat shumë të mirë. “Nga viti në vit kemi zgjerim në tregje të reja jashtë vendit, rritje të eksportit dhe rritje të cilësisë së prodhimeve bujqësore. Pikat e grumbullimit orientojnë fermerët për llojin e kultivarit që duhet të mbjellin e që kërkohet më tepër në treg dhe për standardet që duhet të ketë produkti”, – thekson ministri.

Duke sjell shembullin e suksesshëm të kësaj sipërmarrje, ministri Çuçi thotë se, “puna dhe pasioni i Rrapi Hazizit dhe ekipit të tij, e kanë bërë “Rinaldin” një tjetër histori suksesi në Shqipëri”. Ministri Çuçi shpreh bindjen se do të shkojë mirë çdo gjë me aplikimin në programin IPARD në mënyrë që kjo sipërmarrje të zgjerohet më tej.