Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ishte sot i pranishëm në ceremoninë e përurimit të monumentit të Heroit të Popullit Selam Musai Salaria, në Tiranë, vepër e skulptorit Vladimir Llakaj. Ceremonia u organizua nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, Bashkia e Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar, me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës dhe rënies së Heroit.

Në ceremoni merrnin pjesë, përveç Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe deputet i qarkut të Tiranës, z. Pandeli Majko, drejtues të pushtetit lokal të qarkut Vlorë, deputetë të qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, përfaqësues dhe të ftuar nga Shoqata “Labëria”, përfaqësues nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve, përfaqësues nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, studjues e historianë, pasardhës të Heroit të Popullit Selam Musai Salaria dhe mjaft qytetarë.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe personalitetet shtetërore të pranishëm në këtë ceremoni vendosën kurora e buqeta me lule pranë monumentit të Heroit të Popullit Selam Musai Salaria.