Gjiganti i teknologjisë, Amazon ia ndaloi policisë amerikane përdorimin e softuerit për identifikimin e fytyrës për një vit.

Njoftimi erdhi pasi mbrojtësit e të drejtave të njeriut ngritën shqetësime rreth paragjykimeve të mundshme racore në teknologjinë e vëzhgimit. Këtë javë edhe kompania tjetër, IBM, njoftoi se do të ndalojë ofrimin e shërbimit të njëjtë për “vëzhgim masiv apo profilizim racor”.

Vendimi i të dyja kompanive është rezultat i presionit të bërë ndaj tyre, për t’u përgjigjur pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd në duart e policisë. Amazon tha se pezullimi i përdorimit të softuerit Rekognition, për zyrtarët e zbatimit të ligjit, është një mundësi që ligjvënësit amerikanë të miratojnë projektligje, të cilat rregullojnë mënyrën se si përdoret tekonologjia.

Megjithatë, ajo shtoi se do të vazhdojë t’iu lejojë organizatave që merren me rastet e trafikimit njerëzor që të kenë qasje në këtë teknologji. Teknologjia e identifikimit të fytyrës është kritikuar, pasi disa studime tregojnë se shumica e algoritmeve kanë më shumë mundësi që të identifikojnë gabimisht njerëzit me ngjyrë dhe minoritetet tjera, krahasuar me personat e racës së bardhë.