Nga Ilir Beqja

U mbushën tre muaj nga rasti i parë zyrtar me COVID-19 bë Shqipëri. Për fat të mirë, vendi ynë është nga pikëpamja e shëndetit të shqiptarëve ndër të prekurit krahasimisht më lehtë, krahasuar qoftë me vendet më të industrializuara të botës, qoftë me vendet më të pasura të botës, qoftë me vendet e EU, qoftë me vendet fqinjë. Por pyetjet që i bëmë vetes para tre muajsh, vazhdojmë tia bëjmë edhe sot. Çfarë ishte ky kërcënim? A mund të na vijnë të tjerë? Si duhet të përmirësohemi që të përballojmë sa më lehtë kërcënime të panjohura? Ama, të gjithë jemi dakord se pandemia e COVID-19 vuri në provë jo vetëm shoqërinë shqiptare, por edhe gjithë botën. Ekonominë, emergjencat kombëtare, kujdesin shëndetësor, sistemin arsimor, rrjetat e shërbimeve jetike publike dhe private, zinxhirin e furnizimit ushqimor, zinxhirët e ndryshëm të prodhimit dhe të furnizimit e shpërndarjes së mallrave e shërbimeve, etj. Pandemia evidentoi boshllëqe, mangësi, brishtësi, kundërshti në sistemet ekzistuese.

Megjithatë sa më sipër nuk duhet të eklipsojë sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi dhe shoqëria. Demografia dhe migrimi, mjedisi, bota digjitale dhe rishpërndarja. Ato duhet vazhdojnë të jenë agjenda kryesore e shoqërisë shqiptare (bashkë me integrimin në Bashkimin Europian). Por pandemia e Covid-19 duhet të na bëjë më të vetdijshëm për t’i bërë me zë të lartë pyetjen vetes. Po tani çfarë do të bëjmë? Si të mësojmë nga mundësia unike që na dha pandemia për të ecur përpara sa më qartë dhe sa më mirë. Në vijim po përpiqem të rendis disa aspekte të rëndësishme të jetës sonë, të cilat kanë nevojë për përmirësime thelbësore. Asnjë prej tyre nuk është i ri. Nevojat për këto përmirësime janë evidentuar prej kohësh. Por besoj se përjetimet e pandemisë Covid-19 bënë evidente dy elementë që më duket se ende mungonin: nevoja e pamohueshme se duhen zgjidhur dhe konsensusi i gjithëpranuar (qoftë i heshtur) në urgjencën e fillimit të veprimit. Këtyre sfidave propozoj se duhet t’i qasemi me oportunitet digjital Nuk pretendohet që lista në vijim të jetë shterruese. Jam shumë i dëshiruar që këto shënime të nxisin individë të ndryshëm të zgjerojnë listën dhe të pasurojnë oportunitetet.

Vendimarrja bazuar në të dhëna mund të sjellë menaxhim më të mirë Të hutuar nga erërat e forta të pandemisë së Covid-19, intuitivisht shumë prej nesh iu drejtuam shkencëtarëve për të bërë pyetje dhe për të kërkuar këshilla. Vetë shkencëtarët iu drejtuan TË DHËNAVE. Jemi në “Epokën e të Dhënave të Mëdha (Big Data)”. Apo “Të Dhënat janë Ari i Ri (New Gold)”. Edhe pse ka më shumë se 10 vjet që dëgjojmë të flitet për TË DHËNAT, përballja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë me pandeminë shumë shpejt u bë evidente se nuk kishim mjaftueshëm të dhëna në dispozicion ose nuk kishim mjaftueshëm aftësi për të “lundruar” në oqeanin e të dhënave siç mund ta kishim menduar. Psh në disa vende operatorët e telefonisë mobile, bazuar në të dhëna të agreguara dhe anonime bashkëpunuan me autoritetet shëndetësore për t’i paraprirë përhapjes së virusit.

Megjithatë shumë shpejt u evidentua kontradikta midis nevojës për të dhëna dhe privatësisë së individëve. Është e qartë se duhet edhe më shumë elaborim i rregullave të privatësisë. Thamë më sipër se të dhënat janë si ari. Por ato janë edhe si vaji. Kur përmbytet një tanker nafte, ndotet i gjithë deti. Një tjetër vështirësi që të dhënat të ndikojnë në vendimmarrje është edhe mungesa e protokollit të bashkëpunimit dhe diskutimit (ndërfaqësimit) midis atyre që administrojnë të dhëna të një sektori të caktuar dhe nëpunësve punblikë në sektorë të tjerë. Në kohë pandemie mund të jetë nevojë urgjente identifikimi sa më i shpejtë dhe sa më i saktë i lëvizjeve të popullsisë apo një grupimi të caktuar në fazë sa më të hershme për përpilimin e përgjigjes së duhur. Deri më sot e gjithë kjo ka qënë e mundur të ndodhë, por post-factum. “Gërmimi” dhe “nxjerrja” e të dhënave (data mining) mund të ofrojë njohuri të çmuara për vendimmarrjen e autoriteteve publike lidhur me flukset e lëvizjes së njerëzve në larmi fushash, qoftë në infrastrukturë të transportiti rrugor, qoftë në infrastrukturë mjedisesh shkollore, qoftë në nevojën e mjediseve shplodhëse. Dikur duhet të numuronim makinat për të kuptuar ngarkesën le të themi tek një rrethrrotullim në orare të ndryshme, ndërsa sot (meqë pothuajse të gjithë kanë një aparat telefoni celular) mjaftojnë të dhënat e agreguara dhe anonime 24/7 të sinjalizuara në antenën më të afërt të operatorit celular. Ose, sot është shumë më e lehtë për të parashikuar nevojën për shërbim e bazë në plazhet e Ranës së Hedhun, Karaburunit apo Kakomesë bazuar në sa aparate celularë janë të sinjalizuar në anetenat përkatëse të operatorëve celularë. Përmbledhtazi, eksperienca e kësaj pandemie mund të ndriçojë autoritetet publike të përdorin më gjerësisht edhe këtë oportunitet digjital.

Mbrojtja sociale e mbështetur nga pagesat digjitale mund të mbrojë shtresat më të prekura
Zhvillime të botës digjitale ka prej vitesh edhe në Shqipëri. Por lockdown i imponuar nga pandemia na detyrojë papritmas të zbatonim në shkallë të gjerë, madje hera – herës edhe kombëtare, zgjidhje që deri më tani ishim kujdesur të zhvilloheshin me hapa të matur bazuar në eksperiencën e pilotimeve të ndryshme.

Gjëja më inovative sipas vlerësimit tim gjatë pandemisë ishte përdorimi i platformave digjitale për të mundësuar pagesën e atyre që i quajtëm paga të “luftës”. Në mes të lockdown, Kuvendi i Shqipërisë miratoi edhe ligjin “Për sistemin e pagesave”. Duhet ta zgjerojmë dhe konsolidojmë këtë eksperiencë për të patur një sistem efektiv përgjigje të shpejtë për transefrta në të holla për ata që vuajnë një krizë shëndetësore, një pasiguri ushqimore apo një fatkeqësi natyrore.

Lehtësimi i shpërndarjes së mallrave të ndryshme
Pagesat digjitale do të duhet të lehtësojnë jetën e më të prekurve, por edhe më gjerë. Qoftë duke transferuar të holla nga qeveria tek qytetarët, qoftë duke transferuar të holla nga qytetarët tek qeveria (pagesa taksash, detyrimesh, tarifash, faturash të utiliteteve), qoftë duke transferuar të holla nga qytetarët tek furnizues mallrash apo shërbimesh.

Platformat tregëtisë elektronike duhet të përdoren sa më gjerë. Ofruesit e mëdhenj të mallrave të ndryshëm që zotërojnë rrjet të gjerë shpërndarje duhet të detyrohen që brenda disa vitesh ta kenë të detyrueshme e-commerce në aktivitetin e tyre. Ndërsa bizneset mikro dhe të vogla mund t’i ndihmojë qeveria duke ndërtuar një platformë e-commerce në zotërim publik ku të mund të tregëtojnë produktet në mënyrë që të mos përjashtohen edhe nga ky kanal inovativ tregëtie apo të mos rëndohen finjanciarisht për të ndërtuar sistemet e veta të e-commerce.

Edukimi dhe trainimi digjital i aftësive mund të përmirësojnë gatishmërinë për nevojat e tregut të punës Mbyllja e përkohshme e shkollave ndikoi në Shqipëri ashtu si në mbarë botën. Prindërit u përpoqën të bëjnë më të mirën për të vijuar shkollimin në kushtet e shtëpisë, por pandemia e COVID-19 na tregoi haptaz se edukimi digjital ka ende rrugë e gjatë e të përpjetë përpara. Ka shumë elementë që duhen marrë parasysh gjatë ndërtimit të zgjidhjeve të duhura, përfshirë faktin se mësimi kërkon nivele të larta interaktiviteti, se secili nxënës ka nevoja specifike për të cilat përvoja duhet përshtatur dhe se fëmijët duhet të zhvillohen në mjedis të sigurtë, fizik apo virtual qoftë.

Zgjidhjet digjitale mund të ofrojnë një mënyrë për të përmirësuar rezultatet e shkollimit. Nxënësit mund të vazhdojnë të mësojnë edhe jashtë klasës, mësuesit mund të marrin trajnime gjatë gjithë karrierës së tyre, punëtorët e rinj mund të marrin edhe formimin profesional që u nevojitet. E gjitha kjo mund të përbëjë vetëm një pjesë të vogël në një enigmë komplekse, por kur bëhet fjalë për të investuar në brezat e ardhshëm, çdo pak ndihmon.

Sistemet e kujdesit shëndetësor mund të forcohen prej zgjidhjeve të shëndetësisë digjitale Pandemia e Covid-19 na bëri të qartë se sistemet e kujdesit shëndetësor nuk qenkan të konceptuar dhe jetësuar të përballojnë një fluks pacientësh në shkallë të gjerë krejt papritmas. U provua e vërtetë, pavarësisht nga mënyra e mbulimit, organizimit dhe financimit. Nuk ka zgjidhje digjitale që do mund të zëvendësojë atë çfarë mjeku sheh me sy, dëgjon me vesh apo prek me dorë. Nuk ka pajisje që do të mund zëvendësojë stetoskopin. Por zgjidhjet digjitale mund të ofrojnë lehtësime shumë të nevojshme kur sistemet e kujdesit shëndetësor janë nën stres, qoftë për arsye sistemike ose rrethanore. Triazhimi është një rast evident. Telemjekësia, për shembull, mund të sigurojë një mënyrë të qëndrueshme për të zvogëluar numrin e pacientëve që vijnë në spitale. Zgjidhjet e telemjekësisë qarkullojnë prej kohësh, por nuk kanë qënë tërheqëse deri më tani. Edhe pse kanë ngurruar pacientët, edhe pse ende nuk ka një kuadër rregullator të përshtatshëm. Ajo çfarë ndodhi në Shqipëri gjatë pandemisë me dërgimin e barnave në shtëpi bazuar në recetën dhe nënshkrimin elektronik mund të shtrihet edhe përtej pandemisë si një shërbim i zakonshëm.

Gjithësesi telemjekësia është vetëm maja e ajsbergut të shëndetësisë digjitale. Nuk ka pse të humbim asnjë ditë më shumë që e-vizita, e-referime, e-receta të jenë prezente masivisht edhe në kujdesin shëndetësor jo publik. Periudha e pandemisë tregoi se disa barriera mund të shemben lehtësisht. Këto zgjidhje nuk mund të mbeten më “nice to have”, sepse, për fat të mirë, përbëjnë oportunitete evidente dhe konkrete.

Mbyllje – Zgjidhjet duhet të jenë të qëndrueshme, por më së pari gjithëpërfshirëse Ende na mungon një adresë numerike e vendbanimit. Ende nuk mund ta dëshmojmë lirshëm idenditetin tonë digjital. Ende jo pak prej nesh nuk kanë shërbime interneti në celular dhe nuk kanë llogari bankare. Pra kemi qasje të pabarabartë në botën reale, por sidomos në atë virtuale. Ndërsa lypet të shfrytëzojmë potencialin e integrimit të bashkëqytetarëve në shoqërinë dhe ekonominë digjitale, gjithëpërfshirja duhet të mbetet në krye të agjendës sonë. Sistemi ynë arsimor – digjital apo konvencional – nuk do të skicohet i saktë nëse disa fëmijë mbeten pas. Sistemi i kujdesit shëndetësor – i mbështetur ose jo nga teknologjia – është i pasuksesshëm nëse jo të gjithë mund të përdorin shërbimet e nevojshme. Të dhënat duhet të na ndihmojnë të marren vendimet e duhura nëse llogariten nevojat e të gjithë qytetarëve. Në përdorimin e teknologjinë celulare dhe digjitale për të ndihmuar në zgjidhjen e mangësise thelbësore të shoqërisë sonë, është më kritike se kurrë të mos transferojmë pabarazitë në epokën digjitale dhe të mos lëmë pas askënd. Prandaj duhet të përgatitemi që të pranojmë se qoftë aksesi në lidhjen me internet, qoftë disponibiliteti i një pajisje që mundëson lundrimin në internet duhet të jetë një e drejtë universale e çdo familje shqiptare.