Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot se “deri tani nga fondi i parë i garancisë sovrane për pagat e punonjësve në kushtet e pandemisë kanë përfituar mbi 350 biznese, me një vlerë totale 41 milionë euro, ndërsa janë edhe 320 aplikime që po shqyrtohen”. Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, Sejko tha se, “41 milionë euro është vlera e lëvruar për pagat e punonjësve nga fondi i parë i garancisë nga totali prej 100 milionë euro, ndërsa garancia e dytë do nisë së shpejti të bëhet efektive në dobi të mbështetjes së bizneseve që janë në vështirësi financiare për shkak të COVID-19″.

Guvernatori tha se bankat kanë qenë proaktive ndaj vendimit për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për individët dhe biznesin në vështirësi financiare. “Deri tani për një periudhë tremujore janë 2 miliardë euro kredi të shtyra apo të ristrukturuara deri në 31 maj 2020, nga totali prej 4 miliardë eurosh″, tha Sejko. Ai vuri në dukje se, bankat tregtare do të shtyjnë edhe për një periudhë tjetër 3-mujore, deri në 31 gusht 2020, pagesat e kësteve të kredive për individët dhe bizneset që janë në vështirësi financiare nga situata e COVID-19.