Shqipëria po i fuqizon gjithë një e më shumë pozitat e saj në tregun e huaj, ku dominon me eksportet e prodhimeve bujqësore, drejt vendeve të Rajonit e BE-së. Eksportet e shalqirit nga fermerët e Lushnjës dhe Fierit, po shënojnë rekord në këto dy javë të para të muajit qershor, duke ndjekur ritmin e treguesve pozitiv që regjistroi eksporti i shtuar i prodhimeve në sera (domatja, speci, kastraveci etj) gjatë sezonit mars-prill-maj 2020. Lindita Kondi përgjegjëse në qendrën e eksporteve në Vlorë, tha sot për ATSH-në se “periudha qershor- korrik-gusht dominohet kryesisht nga eksporti i shalqirit, pjeprit dhe prodhimeve të tjera të stinës”.

“Vetëm gjatë 15 ditëve të para të muajit qershor, eksporti i shalqirit nga tregjet e Lushnjës dhe Fierit shënoi trend në rritje nga 99 tonë në ditë për të arritur pikun më të lartë të eksportit të shalqirit në datën 10 qershor me 310 tonë në ditë”- tha Kondi. Eksportet e fermerëve shqiptarë vitin e kaluar shënuar afërsisht mbi 25 mijë tonë shalqi, kryesisht në vendet e Ballkanit por edhe në tregjet e BE-së, që janë edhe tregjet më atraktive për këtë produkt. Gjermania, Franca, Çekia janë disa nga vendet ku kërkohet më shumë shija e shalqirit shqiptar. Por nuk mbeten pas në shifra eksporti edhe produktet e tjera bujqësore shqiptare të stinës.
Sipas Kondit, eksporti i pjeprit shënoi sasinë më të lartë gjatë kësaj periudhe me 43 tonë në ditë, e ndjekur nga qershitë me 30 tonë eksporte në ditë, domatja me 182 tonë në ditë.

Ndërsa në strukturën e eksporteve janë shtuar këtë sezon edhe kulturat e reja si manaferrat dhe dardhat. “Eksporti i manaferrave shënoi sasinë më lartë me 200 kg në ditë dhe dardha me 400 kg në ditë në dy javët e para të muajit qershor”, bën të ditur Kondi. Vitet e fundit si në tregun vendas dhe atë të huaj është rritur ndjeshëm kërkesa për shalqi shumë më herët në sezon, kjo ndihmon prodhuesit që ta zgjerojnë më shumë sezonin dhe të prodhonin më shumë. Kështu p.sh. aktualisht asnjë prodhues në Europë apo në vende të tjera të rajonit nuk prodhon shalqi përpara muajit maj. Ndërkohë që kërkesat e tregut fillojnë të rriten në prill për të arritur majat në mesin e muajit maj, qershor. Kjo do të thotë eksport i shtuar dhe më shumë të ardhura për fermerët dhe ekonominë e vendit.