Nga Lorenc Vangjeli

Dija njerëzore është një labirint i errët dhe i pafundëm, si bibliotekat e lëvizshme, kurse njerëzit e mençur janë gjithëherë pishtarë të ndezur që rrëfejnë rrugën, skedarët, tregojnë kthesat apo shenjojnë drejtimin e lëvizjes. Por pishtarët që dashurohen me zjarrin, edhe ikin prej zjarrit.

Moikom Zeqo ishte një burrë i mençur. Ishte pishtar i ndezur në kohëra të liga. Ishte edhe zjarri që e vetëpërvëlonte në vetminë që njerëzit e letrave i imponojnë vetes; të njohur nga gjithkush, të dashur nga gjithësecili, por vetëm dhe larg kujtdo, ishte dhe shuarja në netët pa terr.

Nga vetmia e tij krijuese, Moikomi ka vite që le takime në të nesërme me lexues dhe admirues të poezisë së tij dhe të prozës së tij filozofike, takim me opinionin mbi faktin historik dhe histori me ngjyra pikture. Dhe përtej tyre, ai ju ka lënë takim, ditë mbas dite dhe stinë mbas stine, edhe gjithë atyre që presin dhe kureshtojnë të njohin veprën e tij më të madhe. Atë vepër që për paradoks, e shkroi vetë, por duhet t’ja “botojnë” të tjerët.

Sepse gjithë jeta e Moikon Zeqos ishte një vepër arti, ku gjendeshin të gjitha, që nga shkëlqimi vetjak tek rrënimi që i projektonin të tjerët, nga lufta që bënte për demokracinë deri tek paqja që as demokracia nuk ja fali dot, nga paqja me gjithë botën tek luftrat e brendshme që ndajnë botën e poetit si qenie superiore ndaj gjithë gjitarëve njerëzorë. Ndaj gjithë atyre që sillen herë si vegjetarianë të mirë dhe herë si kanibalë që duan të ngjyejnë, shqyejnë e vrasin suksesin e të tjerëve. Sepse është sukses që i asgjeson dhe ju kujton dështimin.

Moikom Zeqo ishte, është dhe do të jetë një personazh i madh dhe plot pasione. Cdo ditë e javës, çdo javë e muajve dhe viteve të stuhishëm të jetës së Moikomit, ishte ai embrion i rrallë që i kishte dhëne atij atë veçanti kapricioze, plot dritë e shkëlqim, si për të kujtuar sesa e errët është shpesh përditshmëria në Tiranë.

Moikom Zeqo, ai burrë i ditur dëshpëroi me ikjen e tij sepse me prani, dëshmonte lumin e hajvanëve pafund të jetës publike: analfabetë e të pasur, elitë dhe llum, të ligj e predikues morali, lavire në shpirt e impotentë në trup. Moikomi iku për të rivërtetuar se vetëm marrëzia e ka jetën e gjatë dhe se asaj ja shkurton jetën vetëm dashuria!