Ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaroi sot se “tarifat e biletave të muzeve dhe parqeve arkeologjike janë shumë më të ulëta se viti që shkoi dhe kjo është një ndër masat për nxitjen e turizmit kulturor”.

E ftuar në një studio televizive, Margariti u ndal te masat që janë marrë për nxitjen e turizmit kulturor në situatën e pandemisë.

Ajo theksoi se “nga data 18 maj janë hapur muzetë dhe parqet arkeologjike, ndërkohë që kemi dalë me tarifa të reduktuara”.

“Jemi të bindur që duhet gjithmonë e më shumë të promovojmë turizmin lokal dhe duhet të mbështesim bizneset e vogla dhe të gjitha njësitë akomoduese që mendojmë se kanë kaluar një periudhë tejet të vështirë”, tha ajo.

Margariti u shpreh se “nga janari 2020 kishim rritur tarifat, por bëmë një hap mbrapa duke sakrifikuar arkën e mirëmbajtjes së Ministrisë së Kulturës, për të shtuar sa më shumë turistët”.

“Nga ana tjetër paketat online janë një shërbim i ri që krijon mundësinë për të programuar edhe vizitat nëpër site. Kemi shtuar çdo të diel të muajit falas. Menduam që kjo do të ishte impakt pozitiv”, u shpreh ajo.

Margariti tha se monumentet e kulturës kanë nevojë për mirëmbajtje dhe se është më rëndësi që të shtohet ndërgjegjja qytetare. “Ky është një vit i vështirë. Fokusi ishte që të shtojmë sa më shumë shërbime, një nga mënyrat për të sjellë më shumë vizitorë. Kemi marrë hapa konkretë për rimëkëmbjen e muzeve pas tërmetit duke miratuar një fond të posaçëm për restaurimin e tyre. Biletat nuk janë ato që sjellin të ardhurat më të mëdha, por janë dyqanet e muzeve të cilat mund të sjellin 3-fishin e të ardhurave dhe fokusi është në këtë drejtim, të krijojmë një brendim unikal për të gjithë këto dyqane”, tha Margariti.

Margariti komentoi edhe shkatërrimin e një prej monumenteve në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, ndërsa theksoi se çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë. Ajo shtoi se “është miratuar projekti për restaurimin e saj”.

“Gjatë pandemisë ka ndodhur ky akt, sipas hetimeve të policisë është një akt vandal. Ne po vazhdojmë me hetimet, çështje është në Prokurori. Kemi miratuar projektin e restaurimit dhe shumë shpejt do të procedojmë më fillimin e restaurimit”, u shpreh Margariti.

Margariti shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos. “Ishte një zë kritik, i fort, me kontribut pozitiv me gjithë kritikat e tij për çështjet e artit dhe kulturës. Kemi bërë së bashku një takim vetëm disa muaj më parë në Galerinë e Arteve dhe përtej atyre çështjeve që ai i trajtonte gjithmonë si një person artdashës gjetëm një dialog të mirë”, tha ministrja.