Ditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore si dhe Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, thirrur gjatë pasdites.

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, njëkohësisht anëtar i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri thirri dje tryezën e grupit negociator të Këshillit Politik për sot në orën 11:00.

Gjiknuri u shpreh se “puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së Sistemit Zgjedhor, Ligjit për Referendumet dhe Ligjit për Financimin e Partive Politike”.

Ndërkaq, pasditen e sotme në orën 17:00 pritet të mblidhet Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Në këtë seancë do të informohen anëtarët e Komisionit për marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik dhe ecurinë e mëtejshme të reformës.