Nga Alfred Peza/

Arritja e dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës për reformën e re zgjedhore, është pritur brenda kampit opozitar, pa entuziazmin e merituar. Përtej rëndësisë dhe mundësisë së re që ajo hap për vendin dhe opozitën e rrugës, zërat kritikë megjithëse pak më të moderuara këtë radhë, po mundohen ta kompleksojnë sërisht Lulzim Bashën, që në hapat e parë të startit të ri.

Nga njëra anë, Kryetarit të PD po i kërkohet që të mos e pranojë hapur e publikisht se rruga e ndjekur përgjatë 18 muajve të fundit nga ana e opozitës, ishte e gabuar. E nga ana tjetër, duke qenë se Lulzim Basha nuk humbi asnjë minutë kohë por të filluar përgatitjet për zgjedhjet e prill-majit 2021, po i kërkohet që të mos nxitohet. Sepse përndryshe,- siç thonë ata,- mund të rrezikojë që ti zhgënjejë përsëri, mbështetësit e tij!

Duke mos i dëgjuar këto zëra dhe duke caktuar datat dhe modalitetet e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj për deputetë, ai ka pranuar “de facto” gabimin fatal të së shkuarës për djegien e mandateve të 2017 dhe bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Për ti shkuar deri në fund kësaj linje, qëndrimet e tij kontrastojnë dukshëm këtë radhë me ato të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët duket se kanë pritur dështimin e marrëveshjes.

Për ndarjen përfundimtare me të shkuarën e partisë së Berishës, zërat brenda Partisë Demokratike flasin se në ditët në vijim, Lulzim Basha mund të lançojë KOP-in Numër 2. Ai vetë hyri në politikë në vitin 2005, përmes Komitetit të Orientimit të Politikave, Numër 1. Ndërsa tani me cilësinë e kreut të partisë, pritet që ti hapi derën një liste figurash të reja, të cilat mund të jenë edhe bërthama e ekipit të tij përfaqësues për garën e re zgjedhore.

Për një opozitë që nuk ka sot asnjë përfaqësim në Parlament dhe në pushtetin lokal, rruga nuk është aq e thjeshtë sa duket përmes ekraneve të televizorëve që pasqyrojnë takimet e Lulzim Bashës, me biznesin e vogël në qytet. As aq blu sa çkërkon që ta paraqesë ai kur sapo kemi dalë nga izolimi i pandemisë dhe deklaron se ka gati programin e ri ekonomik, që do nisë ta paraqesë përmes takimeve me qytetarët. Nuk është hera e parë që shqiptarët i dëgjojnë këto deklarata, por realiteti është se fjalët e tij, i ka marë era.

Më shumë sesa me Sali Berishën, me Ilir Metën, me të shkuarën pak më të largët dhe me këtë të këtyre muajve të fundit, Lulzim Basha e ka garën me veten përballë zgjedhjeve të ardhshme. Sepse ato do të jenë përcaktuese jo vetëm për PD dhe opozitën, por mbi të gjitha, për të ardhmen e tij personale në politikë. Sepse nga ardhja në krye të Partisë Demokratike, ai i ka humbur të gjitha betejat politike dhe elektorale, përballë mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama.

Marrëveshja e arritur në tryezën e Këshillit Politik me ndihmën e SHBA dhe BE, i kanë dhënë mundësinë e jashtëzakonshme për të mos përsëritur edhe njëherë gabimet fatale, që e sollën opozitën deri në këtë pikë. Lulzim Basha e ka përcaktuar veten me fjalë si “politikani më pro europian, më europian në radhë të parë, që ka sot Shqipëria. Ndoshta nesër vjen dikush tjetër më europian se unë, por deri më sot, politikan më europian se unë nuk ka”.

Por në praktikë asnjë parti tjetër në historinë e Europës moderne, nuk i ka djegur mandatet e deputetëve të saj, të besuara nga populli opozitar me votë. Asnjë lider europian, nuk i ka bojkotuar zgjedhjet, për ti hequr mundësinë të vetëve që të zgjedhin e të zgjidhen. Asnjë opozitë tjetër në historinë e kontinentit, nuk e zhvillon aktivitetin e vet në rrugë, por brenda sistemit demokratik. Brenda Parlamentit. Brenda institucioneve kushtetuese dhe rregullave të lojës pluraliste.

Pas firmosje së marrëveshjes për reformën e re zgjedhore, ai ka shansin e tij të fundit, jo vetëm për të treguar lidership përmes garës dinjitoze në zgjedhjet e 2021. Por për ta treguar edhe me vepra, atë që ka aq shumë dëshirë, që të jetë me fjalë. Ka mundësinë e papërsëritshme, që të na tregojë atë Lulzim Bashën, që ende nuk e kemi parë akoma: Një lider i vërtetë europian, në politikën shqiptare!