Nuk shoh alternativa reale në futjen e burimeve të reja vetjake, përfshirë taksën mbi të ardhurat e kompanive shumëkombëshe, në buxhetin e BE-së, si garanci financimi të Fondit të Rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh të propozuar nga Komisioni i BE-së, deklaroi komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Buxhetit, Johannes Hahn, për gazetën britanike ”Financial Times”.

“Ne synojmë një fluks të vazhdueshëm të burimeve të reja nga bilancet tona deri në fund të vitit 2027”, pohoi komisioneri austriak. ”Rritja e burimeve është rruga e vetme për të mbështetur rimëkëmbjen”, theksoi ai. Hahn e llogarit këtë taksë mes 15 dhe 20 miliardë eurove. ”Taksa mbi shumëkombëshet mund të sillte 10 miliardë euro në buxhetin e komunitetit dhe do të kishte të bënte me 70 000 ndërmarrje në Europë, me një qarkullim prej mbi 750 milionë eurosh”, saktësoi Hahn.