Është krijuar një tjetër ngërç, për mandatin e nënkomisionerit dhe komisionerit të KQZ, që është bërë arsyeja që palët të mos gjejnë dakordësi. Sipas Gjiknurit, PD kërkon mandat 4-vjeçar që e kanë aktualisht dhe anëtarët aktualë të KQZ dhe për të nuk ka asnjë kuptim ristrukturimi nëse vijohet me të njëjtën mënyrë si është KQZ aktuale. Identifikimi Biometrik është një tjetër arsye që ka ndarë palët në momentin e fundit, pasi PD kërkon të fusë në Kodin Zgjedhor procedurat e tenderimit, që për Gjiknurin është e pakonceptueshme.

“Të krijojmë një trup KQZ të qëndrueshme duke reflektuar dhe kërkesat e opozitës edhe anëtarë me mandate shumë të gjata se sa janë sot. PD duket se ka kërkuar vetëm një marrëveshje zgjedhore për të marrë disa garanci për identifikimin biometrik në zgjedhje ndërsa është më e ndershme të mbajmë KQZ ashtu siç është. Ky ishte një devijim i paparashikuar i takimit dhe duhet të reflektojnë. Ata kërkojnë mandate 4 vjeçare siç janë sot dhe duan të kthehen te KQZ aktuale, është më e ndershme të mbajmë atë që kemi nuk kemi pse bëjmë gjithë këtë debat. Mazhoranca ka qenë komode edhe me kodin aktual. Nuk di që në kodin zgjedhor të shkruhen procedura tenderimi dhe PD kërkon këtë gjë. Ne i dhamë nënkomisionerin me të drejta si komisioneri, por besoj se nuk është normale që një ligj zgjedhor të përfshihet me procedura tenderimi.”, tha Gjiknuri.