E ardhmja e Elseid Hysajt është një çështje e nxehtë te Napoli, me lojtarin që nuk i është përgjigjur vullnetit të drejtuesve për të rinovuar kontratën, që përfundon sezonin e ardhshëm.

Shkodrani ka kërkuar kohë për të vendosur dhe po reflekton në lidhje me të ardhmen e tij. Gjatë kësaj kohe nuk do të mungojnë këshillat dhe një prej tyre vjen nga Edi Reja, trajneri i kombëtares sonë.

Ai shprehet se do të ishte i lumtur nëse Hysaj qëndron te Napoli dhe evidenton përmirësimin e mbrojtësit gjatë kohëve të fundit, kur Gatuzo i ka dhënë besim dhe e ka aktivizuar rregullisht.

“A jam i kënaqur nëse Hysaj qëndron në Napoli? Po, natyrisht. Më parë ai e kishte humbur besimin, por tani e ka gjetur sërish dhe po gëzon një ecuri pozitive.

Hysaj është kapiteni im dhe kam shumë besim tek ai. Me kombëtaren ai bëri një gol të bukur, me driblim dhe një tunel vërtet të çmendur.

Unë nuk po u besoja syve dhe i thashë: ‘Çfarë ka ndodhur me ty?’. Është e rëndësishme që ai të luajë dhe të bëjë mirë. Hysaj po i përgjigjet pozitivisht stimujve të ardhur nga trajneri Gatuzo, me të cilin po bëhet akoma e më i mirë”, u shpreh tekniku i kombëtares sonë.