Një film biografik për jetën dhe karrierën e boksierit amerikan Mike Tyson është duke marrë jetë në Hollywood. Ai që do të interpretojë një nga ikonat e peshave të rënda në boks është aktori Jamie Foxx, fitues i çmimit Oscar. Gjatë një deklarate në rrjetet sociale ai që ka folur për këtë film është vetë 52-vjeçari Foxx. “Po punoj fort për këtë film, Po bëj shumë palestër për të ndryshuar rrënjësisht fizikun tim, për të qenë sa më afër personazhit tim”, tha Jamie Foxx.

“Dua që kur njerëzit të më shohin në rrugë të më ndalojnë dhe të më kërkojnë autograf, pasi dua që të mendojnë se unë jam Tyson. Do të peshoj 97kg dhe më pas do të shkoj deri në 102-104kg. Në ekran do të dukem sikur jam 113kg”, tha aktori i njohur. Në këtë film do të pasqyrohet e gjithë jeta e boksierit, ish-kampion bote dhe një personazh i famshëm edhe jashtë ringut.

“E kam njohur Mike që para 30 vitesh. Isha në skenë dhe po bëja një batutë rreth tij, por asnjë nuk qeshi, pasi Mike ishte mes publikut dhe kishin frikë…”, tha Jamie Foxx, duke folur për marrëdhënien që ka me boksierin.