Rajoni i Fierit dhe Lushnjës kryeson me eksportet e produkteve bujqësore drejt vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian. Bujqësia në këtë rajon, një sektor kyç për rritjen e të ardhurave në familjet fermere, punësimin dhe ekonominë e vendit, vitet e fundit ka prekur shifrat e rritjes progresive përsa i takon prodhimit dhe eksporteve.

179 trajlera me prodhime bujqësore, janë eksportuar gjatë javës së parafundit të muajit qershor, nga qendrat e grumbullimit në Lushnjë dhe Fier. Lindita Kondi, përgjegjëse në qendrën e ekporteve në Vlorë, i tha të martën ATSH-së, se rritja e prodhimit bujqësor vendas, veçanërisht tani në fillim të sezonit veror, është reflektuar në treguesit pozitivë të eksporteve bujqësore për lloje të ndryshme prodhimesh, ku dominon bostani dhe frutikultura.

Krahasuar me një javë më parë, java 12-18 qershor regjistron 23 trajlera më shumë, me prodhimeve bujqësore të certifikuara që kanë dalë nga Fieri dhe Lushnja, për eksport në 24 vende të rajonit dhe BE-së.