“Më në fund kthehemi të flasim për futbollin e luajtur. Të mërkurën do të shohim një ndeshje të bukur. Duke parë Napolin në finalen e Kupës së Italisë është një arsye kënaqësie për ne, që kemi qenë pjesë e klubit”. Kështu shprehet Edy Reja, ish-trajneri i Napolit dhe trajneri aktual i Shqipërisë për rifillimin e futbollit italian dhe mundësinë që blutë të marrin në shtëpi trofeun e parë sezonal. Por, ky nuk është qëllimi i vetëm i skuadrës së drejtuar nga Gattuso. “Tani, Napoli po ndjek edhe zonën europiane përmes kampionatit, – vazhdoi Reja në “Radio Kiss Kiss”. – Një objektiv i paimagjinueshëm për mënyrën sesi e filloi këtë sezon. Me trajnerë Sarrin, Mazzarri, Benitez dhe Ancelotti, skuadra ka qenë gjithmonë konkurruese. Rritja ka qenë konstante që nga Seria C”.

Pastaj, trajneri i kombëtares së Shqipërisë iu kthehet kujtimeve me këtë klub: “Në vitin e parë në Serie A kemi bërë mirë, gjithashtu kemi marrë pjesë në Kupat e Europës. Tani Napoli është rregullisht kompetitiv në çdo garë”. Reja bën një analizë të Napolit të Gattuso: “Eshtë shumë i ndryshëm nga ai i Ancelotti dhe Sarri. Rino është konkret, ka fituar vlerësimin e lojtarëve, që kanë filluar të besojnë në veten e tyre. Sigurisht, e kanë ndihmuar edhe rezultatet. Napoli është rritur dhe tani po paraqitet shkëlqyeshëm. Gattuso është nga ato personazhe, që De Laurentiis i pëlqen shumë. Nëse dëshiron ta konfirmojë edhe për tri vite të tjera si trajner, për mendimin tim do të bëjë mirë. Tifozët, gjithashtu, e pëlqejnë dhe e duan”.

Një parashikim bën edhe për finale e Kupës së Italisë: “Zemra më rreh për Napolin, por ndaj Juves do të jetë shumë e vështirë”. Disa fjalë edhe për Elseid Hysaj, mbrojtësin me kontratë drejt skadimit te Napoli, por “strumbullari” i kombëtares shqiptare: “Për Elseid kam një dashuri të veçantë, me mua është sjellur shkëlqyeshëm. Ai shënoi edhe një gol të jashtëzakonshëm, që përsëritet vazhdimisht në televizionet shqiptare. Me Gattuso ka gjetur vazhdimësi aktivizimi. Te Napoli do të vijë një tjetër shqiptar, Rrahmani. Klubi bëri mirë me këtë lëvizje. Nëse luan me tre në mbrojtje, është një blerje e shkëlqyer”.