Pasi ka përfunduar takimi i Këshillit Politik, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, u shpreh në një deklaratë për mediat se në mbledhjen e sotme është dakordësuar mes palëve politike për pjesën më të madhe të çështjeve të Kodit Zgjedhor. Sipas Gjiknurit, të hënën ose maksimumi të martë, do të jetë gati draftin final i dakordësuar nga të gjitha palët. “Patëm mbledhjen e radhës së Këshillit Politik ku dakordësuam pjesën më të madhe të të gjithë amendimeve që lidhen me çështjet e financimit në fushatën e zgjedhjeve dhe rolit të medias në fushatë zgjedhore.

Kemi akoma 2-3 pika të vogla që po saktësohen me ekspertët teknikë. Besoj deri të hënën do të kemi të plotë të gjitha amendimet ligjore në Kodin e ri Zgjedhor, përfshirë dhe formimin e KQZ dhe të gjithë elementët e tjerë të Kodit Zgjedhor, që do të jetë amendimi i kodit aktual zgjedhor ku reflektohen të gjithë elementët e marrëveshjes, përfshi dhe çështjet që kemi rënë dakord me PD dhe opozitën parlamentare dhe joparlamentare, pra në këtë Këshill Politik, për të gjitha çështjet që kemi adresuar gjatë gjithë kësaj kohe. Besoj të hënën, maksimumi të martën shpresoj që unë të çoj zyrtarisht draftin në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe më pas të drafti të vazhdojë diskutimet për në Parlament. Pak a shumë kjo është ajo çfarë u bë sot”, u shpreh Gjiknuri.

Z.Gjiknuri folët sot për KQZ, ka ndonjë element të ri? Përgjigje: Jo, KQZ nuk ka ndonjë element surprizë, janë pak a shumë ato parime që janë bërë publike, thjesht po diskutojmë disa mekanizma që lidhen me procedurën e zgjedhjes së anëtarëve, pra që do të jetë një skemë e hapur dhe natyrshëm do të reflektohen edhe shqetësimet që mund të ketë opozita jashtëparlamentare. Por thashë që këto mbeten për tu parë 2-3 ditët e fundit dhe drafti final do të jetë i plotë. Ekspertëve iu la detyra që brenda së hënës ta mbyllin gjithë kodin final përfshi dhe paketat ligjore, ndryshimet në Kodin e Procedurës, ndryshimin në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, ligjin për sinjalizuesit, pra gjithë paketa që lidhen me çështjet që janë diskutuar në Reformën Zgjedhore.

Do të lejohen në media reklamat e partive politike gjatë fushatave zgjedhore, ka qenë një rekomandim i KE?

Përgjigje: Po do të lejohen reklamat politike në media, pavarësisht se ka patur një këshillim nga Këshilli e Europës, mendojmë se ende nuk jemi në kushtet kur të ndalojmë reklamat politike, kështu që reklamat politike do të jenë pjesë e Kodit Zgjedhor.

Po për financimin e fushatës ratë dakord? Përgjigje: Po kemi rëndë dakord që Buxheti i Shtetit do të dyfishojë financimet për partitë dhe tavani do të jetë në raportin 1:3, pra 3 herë më shumë sesa buxheti do të mund të marrin nga privatët. Ky raport është ulur në mënyrë drastike pasi ka qenë 1 me 10. Janë bërë një sërë normash të reja nga pikëpamja e raportimit, llogaritë bankare që do të jenë të deklaruara me kohë, auditimi dhe transparenca për të gjitha donacionet do të jetë në kohë reale dhe në KQZ, pra ka një sërë masash, që janë rekomandime të organizatave që na kanë ndihmuar në procesin e financimit të zgjedhjeve dhe përgjithësisht monitorojnë transparencën në të gjithë vendet e botës, jo vetëm në Shqipëri.