Nga Altin Ketro/

Që të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sigurisht që duhen edhe votat e opozitës së re parlamentare. Mazhoranca socialiste, e vetme, nuk i disponon 84 vota. Ose së paku, deri ditën e votimit, në teori nuk i ka ato. Si rrjedhim, votat e grupit të deputetëve që dolën nga listat e PD e LSI, janë vendimtare për t’i dhënë jetë marrëveshjes së arritur edhe me bekimin e faktorit ndërkombëtar.

Tri grupet parlamentare opozitare, zëri kryesor i të cilit është zoti Murrizi, kanë paralajmëruar votën kundër nëse nuk ndryshohet sistemi, duke u bërë me lista të hapura. Është e drejta e tyre të kërkojnë çdo gjë që ka të bëjë si për sistemin, si për rregullat e administrimit zgjedhor.

Megjithatë duhet thënë që ata sot për sot, pavarësisht se janë deputetë dhe vota e tyre është e njëjtë me atë të çdo deputeti socialist, nuk dihet se cilët përfaqësojnë përveç vetes së tyre. Duke qenë të përjashtuar nga PD e LSI, duke qenë të “mallkuar” nga elektorati i këtyre dy partive si tradhëtarë, nuk më duket shumë e arsyeshme që për çështje kaq madhore që shkojnë deri në ndryshime kushtetuese, ata të imponohen a thua se kanë 50 për qind të elektoratit nga pas.

Do ishte mirë që këto grupe opozitare të organizoheshin njëherë si parti politike. Të dinim se cili është statuti dhe programi i tyre politik dhe ekonomik. Të dinim se cila është qasja e tyre politike: majtas, djathtas, në qendër apo në ekstreme. Të dinim cili është lideri, cili është ekipi drejtues. Të shihnim sa do mund të shtriheshin në të gjithë Shqipërinë. Të shihnim sa njerëz do anëtarësonin në parti. Të shihnim si do organizoheshin në forume për të parë shkallën e tyre të demokracisë së brendshme që aq shumë e nxisin tek të tjerët

Pa bërë këto e shumë të tjera që njerëzit të dinë se më kë kanë të bëjnë, gjykoj se duhet të jenë më modest në artikulim për këto çështje. Disa deputetë që thjesht kanë krijuar tri grupe parlamentare dhe kaq, të thuash që ajo që mendon PS, PD e LSI është e gabuar, ku të tria ato zënë 95 për qind të vendeve në Kuvend dhe kjo që kërkojnë këta deputetë pa parti është zgjidhja më e mirë, nuk më duket logjikë e shëndoshë.

Në demokraci tonë përfaqësuese, vendos vullneti i shumicës. Pakica respektohet për mendimet e saj, po jo deri në shkallën që pa pasur ende ushtarë, të sillen si komandantë.

Nuk e kuptoj se përse zoti Murrizi (po e marr si emër të përveçëm sepse nga formimi politik është më i kompletuari prej gjithë deputetëve opozitarë), e ka problem që të hyjë në zgjedhje me këtë sistem që kemi tani? Ai pretendon se ka mbështetje në zonën e tij elektorale në Lushnjë. Po edhe po të jetë me lista të hapura, ai nuk i shmanget dot votimit për partinë.

Për ata që nuk e dinë, sistemi me lista të hapura e ka të ndarë në dy pjesë fletën e votimit. Në anën e majtë janë të renditura partitë politike, sipas shortit, nga numri 1 deri tek numri X i partisë së fundit. Në anën e djathtë renditen thjesht numrat nga 1 deri në 140, aq sa deputetë janë. Çdo numri i korrespondon një emër deputeti që është depozituar paraprakisht në KQZ.

Që një kandidat të fitojë si deputet, duhet që fillimisht votuesi të shënojë më parë emrin e partisë. Në rast se votuesit shënojnë me shenjë nr.1 tek emri i partisë, që mund të jetë p.sh. PS-ja, dhe nr.5 tek numrat e kandidatëve që mund të korrespondojë me numrin e zotit Murrizi në renditje, në fakt nuk del deputet zoti Murrizi, por kandidati me nr.5 i listës që përfaqëson Partinë Socialiste. Pra, kur votuesi voton partinë tek lista e hapur, ku është problemi që të votojë partinë tek lista e mbyllur ku zoti Murrizi është i pari në listë dhe rrjedhimisht fitues?!

Meqë jemi tek listat e hapura, është mirë të sqarohet se si i duan. Pra, përveç partisë do votohet vetëm një emër kandidati? Në këtë rast, çfarë ndodh kur shumicën dërrmuese të votave e marrin liderët, konkretisht Rama dhe Basha?!

Do ta bëjmë më pluraliste, pra t’i japim mundësinë elektoratit të përzgjedhë 3 apo 5 emra në listë, me qëllim që të mos kanalizohet vota vetëm te liderët? Edhe kjo formulë ka probleme. Kur një votues nominon më shumë numra se sa lejohet, vota do dalë e pavlefshme? Apo do llogaritet vetëm si votë për subjektin politik dhe më pas në bazë të tyre do futen deputetë sipas renditjes me lista të mbyllura nga lart-poshtë?

Sot, me listat e mbyllura, për çdo 1.5 milionë vota, numërohen 1.5 milionë fletë votimi dhe renditen partitë për aq vota sa kanë marrë. Me lista të hapura, përveç 1.5 milionë votave për partinë, do numërohen edhe 3, 5 a më shumë kandidatë të përzgjedhur për çdo fletë votimi, ku rankimi për të nxjerrë deputetët fitues do të zgjasë tmerrësisht shumë.

7 deri 10 ditë ne na zgjat numërimi i votave për partitë, të cilat do numërohen të parat. Llogarisni tani sa do zgjasë numërimi për së dyti i këtyre fletëve për t’i nxjerrë emër për emër deputetët fitues!!! Imagjinoni që do kemi sërish kamikazë politikë si komisionerë, atëherë nxirrini vetë përfundimet.

Edhe me lista të hapura, jo domosdoshmërisht deputetë do dalin të gjithë ata që votohen sipas numrit përkatës, por do të dalin deputetë edhe sipas një renditje paraprake njësoj siç e kemi aktualisht me listat e mbyllura.

Do ketë raste të tilla që të kemi deputetë fitues që do marrin 100-150 mijë vota dhe deputetë fitues me 2 mijë vota. Merreni tani me mend fodullëkun e të parëve ndaj të dytëve. Ec e përmbaje krekosjen e tyre sa nga foltorja e Kuvendit, deri tek studiot televizive. Çfarë do të ndodhë kur një biznesmen (mos o zot oligark), kandidat për deputet, të marrë vota më shumë se sa lideri i partisë që mund të jetë sipas rastit, kryeministër ose kryetar i opozitës?!

Deputetët e dalë me lista të hapura nuk i përkasin asnjë zone, sepse marrin vota kudo në shtrirje gjeografike dhe s’kanë ku japin “llogari”. Nëse do kemi ndarjen me 12 njësi elektorale me lista të hapura dhe një kandidat merr vota në rang qarku në Lushnjë, Fier, Mallakastër, Patos, Rroskovec, Divjakë, kujt zone do t’i shërbejë ai?

Lere pastaj nëse Shqipëria ndahet në 1 njësi zgjedhore dhe kandidati të marrë vota nga Vermoshi në Konispol, aty do jetë dilemë e madhe se si do t’ia dalë të përfaqësojë zërin e qytetarëve të 61 bashkive e të marrë kontakte me ta.

Ndaj duhet një sqarim publik, sepse po flitet shumë që deputeti i zgjedhur me lista të hapura do ketë më shumë lidhje shpirtërore me zgjedhësit e vetë.

Gjithsesi, duke i lënë mënjanë këto teknikalitete, që në fakt janë shumë të komplikuara dhe që për mentalitetin dhe realitetin tonë është mirë të mos futen kaq shpejt, dua ta mbyll me një apel për zotin Murrizi dhe të gjithë ata që kanë dalë flamurtarë të ndryshimit të sistemit dhe kanë synim për të marrë pjesë në zgjedhje. Formoni më së pari partitë tuaja, krijoni programin dhe ekipin me fytyrat kryesore që e përbëjnë atë, ngjallni besim se jeni një alternativë që mund t’ju besohet pushteti dhe pastaj ngrijeni me të madhe çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor.