Frenkie de Jong ka zbuluar se shkarkimi i Ernesto Valverde në janar e bëri atë të kuptojë se sa të larta janë standardet te Barcelona. Mesfushori holandez mbërriti nga Ajax korrikun e kaluar, por kaloi vetëm gjashtë muaj duke punuar me trajnerin Valverde. Një performancë jo fort pozitive e katalanasve në Superkupën e Spanjës, kundër Atletico Madrid, bëri që t’i vihej “vula” shkarkimit të trajnerit në fjalë, pas një serie shfaqjesh të tilla.

Megjithatë, në kohën e shkarkimit të Valverde, Barcelona kryesonte La Liga-n, përpara Real Madridit, falë golaverazhit më të mirë. Po ashtu, Blaugrana-t kishin siguruar një vend në raundet e “nokautit” të Ligës së Kampionëve. Largimi i Valverde dhe ardhja e shpejtë e Quique Setien i treguan De Jong se kërkesat për trajnerët në klubet më të mëdha në Spanjë janë veçanërisht të larta.

“Sidomos te Barcelona, – thotë De Jong, – është pak a shumë si tek Ajax: duhet të luash mirë dhe të fitosh gjithçka. Kur njëri prej të dyjave nuk shkon si duhet, atëherë është e vështirë për ekipin dhe trajnerin. Pra, presioni është me të vërtetë i lartë këtu. Drejtuesit kërkojnë futbollin më të mirë në botë, duan të fitojnë çdo trofe, gjë që më pëlqen shumë si ide”.

Edhe pse De Jong i vlerëson pritshmëri të tilla të larta, ka kuptuar se sa të pamëshirshme janë kërkesat në “Camp Nou”. Kjo gjë e materliazuar në fatin e Valverde: “Këtu flitet për standarte të larta. Kur shkarkohet një trajner, kjo ka të bëjë me mënyrën se si po luan ekipi. Nëse jo mirë, këtu bëjnë trajnerin përgjegjës. Në fakt, unë ndihem fajtor, sepse lojtarët duhet ta tregojnë veten në fushë, ata luajnë realisht. Ne nuk po luanim tmerrësisht keq, sepse ishim të parët në klasifikim, kur Valverde u shkarkua”.

Lojtarët e Barcelonës ranë dakord për uljen e pagave prej 70 për qind në mars, për ta ndihmuar klubin gjatë periudhës së koronavirusit. De Jong dyshon se bisedime të mëtejshme po zhvillohen në lidhje me atë që mund të ngjasë më tej me pagat: “Kemi bërë tashmë një marrëveshje disamujorshe me klubin. Të gjithë e dinë këtë. Mendoj se disa lojtarë po negociojnë tani me klubin se si do të vijohet me këtë situatë. Unë nuk jam njëri prej tyre. Nuk jam përfaqësuesi i grupit, as kapiteni, kështu që të presim e të shohim se cfarë do të vendoset në fund”.