Italia i ka dhënë fund regjimit të izolimit të vendit nga masat e marra nga qeveria për shkak të pandemisë Covid-19 e cila ka shkaktuar deri më sot 33 910 viktima e mbi 233 mijë të infektuar.

Në këtë ditë të hapjes së kufijve të brendshme e të jashtëm të vendit. kryeministri Giuseppe Conte ka zhvilluar një takim me mediat ku është shprehur optimist mbi mënyrën e menaxhimit të situatës së emergjencës shëndetësore në vend.

“Prej datës 4 maj, të dhënat e pandemisë janë inkurajuese, e pas këtyre muajve sakrificë meritojmë buzëqeshje e alegri por nuk duhet të braktisim masat e distancimit social e maskat duhet t’i përdorim aty ku është e nevojshme për t’u mbrojtur” – tha ai.

Kryeministri italian ka kërkuar falje publike për vonesat në pagesat e punonjësve të detyruar në regjim asistencë pas disa muajve mbyllje të sektorëve të ndryshëm të punë.

“Po përballemi me një emergjencë ekonomike e sociale por dhe me një legjislacion që nuk ishte i përgatitur për të derdhur shuma parash në një nivele të tillë të përgjithshëm. Kërkoj falje, tha ai e po bëjmë ç’është e mundur për të aktivizuar pagesat, bonuset e amortizatorët socialë. Kjo krizë të na shërbej për të zgjidhur problemet strukturore e për t’i dhënë një pamje të re vendit”, deklaroj kreu i ekzekutivit italian.

Kryeministri Conte informoj se prej datës 3 qershor turistët evropianë mund të mbërrijnë në Itali duke kërkuar më shumë vëmendje markave made in Italy e më shumë rëndësi fushatës së promovimit të pasurisë kulturore e artistike italiane në botë.

Nuk duhet të harrojmë tha kryeministri italian Conte “se gjatë këtyre muajve izolimi bukuria italiane nuk qe kurrë në karantinë!”