Ndonëse me 42 vjet mbi supe, Gianluigi Buffon nuk ka ndërmend t’i varë dorezat në gozhdë, madje nesër në mbrëmje mund të rishkruajë historinë, duke u bërë futbollisti me më shumë ndeshje në kampionatin italian. Nëse Sarri do ta aktivizojë si titullar në sfidën përballë Genoas, atëherë kjo do të jetë sfida numër 648 për Buffon në një ndeshje të kampionatit italian, po aq sa ka luajtur edhe legjenda e Milanit, Paolo Maldini, i cili është futbollisti me më shumë ndeshje në Serinë A.

Në këtë mënyrë portieri legjendar do të rishkruante historinë, duke u bërë futbollisti me më shumë ndeshje në kampionatin italian, ndërsa forma e tij e mirë në takimet e fundit ka bindur drejtuesit e Juventusit që t’i ofrojnë rinovimin edhe për një tjetër sezon. Kujtojmë që Buffon ka debutuar në Serinë A më 19 nëntor të 1995-ës, kur nuk kishte mbushur ende 18-vjeç, në sfidën Parma-Milan, të përfunduar në barazim 0-0, ndërsa më pas gjithçka është histori që mund të gdhendet me germa të arta.