Barcelona ka marrë barazim pa gola në “Sánchez Pizjuán”. Duke bërë presion mbi një Sevilla, që ka qenë e detyruar të humbasë shumë topa, skuadra katalanase nuk ia ka dalë ta zhbllokojë rezultatin. Madje, po të mos kishte një portier si Ter Stegen, do të ishte ndëshkuar më shumë se dy herë. Në fund të fundit, ndarja e nga një pike nuk ka kënaqur as njërën, as tjetrën skuadër, por veçanërisht… Real Madridin.

Quique Setién ka analizuar me qetësinë e tij të zakonshme lojën e nxehtë dhe skenat nervoze të të tijve në këtë transfertë: “Ne ishim shpresëdhënës në 30 minutat e para, të cilat kanë qenë të jashtëzakonshme. Kemi luajtur në gjysmëfushën e kundërshtarit. Pas pushimit mes dy pjesëve e kemi humbur koordinimin, kemi humbur disa topa dhe i kemi dhënë jetë Sevilla. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë për ne, ishim mjaft të pakoordinuar. Ka qenë e vështirë për ne të gjenerojmë situata me kaq shumë lojtarë të grumbulluar në zonën kundërshtare.

Kemi provuar në shumë mënyra, por nuk mundëm t’ia dilnim. Është e vërtetë që portieri na shpëtoi në dy-tri raste. Të kesh Marc në portë është garanci e madhe. Është gjithashtu e vërtetë që kemi pasur shanset tona mjaft të qarta. Idealja do të ishte t’i kishim parë 30 minutat e para më të gjata, duke qenë mjaft konsistentë dhe të kthjellët. Nuk është e lehtë me ekipet e këtij niveli.

Nuk po them se kemi të njëjtat mundësi për titullin, por Real Madridi do të duhet të fitojë në “San Sebastián”, do të ketë akoma shumë ndeshje delikate. Realiteti është që ne jemi mirë, jam i kënaqur me shumë gjëra, por duhet të përmirësojmë disa të tjera. Unë jam akoma po aq optimist. Isha i sigurt, dhe jam akoma, që asnjëra nga dy skuadrat e kreut nuk do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura. Jam i sigurt që edhe rivali ynë, gjithashtu, do të ndalohet në vazhdim”.