Emanuela Rusta është vajza nga Elbasani që ka zgjedhur një profesion të veçantë ndryshe nga bashkëmoshataret e saj. Emanuela është e vetmja arbitre futbolli në Shqipëri me stemën e FIFA-s. Rusta është gjithashtu e para gjyqtare femër me stemën e FIFA-s, që theu barrierat duke përfaqësuar futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ditën e sotme, ajo ishte e ftuar në programin “Historia ime”, në Tv Klan, ku tregoi se e pëlqen shumë profesionin e saj dhe pavarësisht së është femër, asnjëherë nuk e ka ndjerë paragjykimin në fushë, ose jashtë fushës.

Mirela Milori: Mendon që është një sport i bukur për femrat, se ka njerëz që e paragjykojnë, thonë nuk e kuptojmë dot një futboll që luhet nga femrat? Emanuela Rusta: Unë nuk do pëlqeja, se shumë ndajnë sportet, thonë kjo është për femrat, kjo është për meshkujt. Çdo sport nuk ka ndarje gjinore është si për femrat dhe për meshkujt. Normalisht dhe futbolli është aq i bukur sa të luhet nga meshkujt, është akoma dhe më i bukur duke u luajtur dhe nga femrat. Normalisht që është sport shumë i vlerësuar. Edhe në Shqipëri tani është prioritet, është kthyer futbolli i femrave, edhe po i jepet goxha vlerësim, po shtohen më shumë ekipet e femrave dhe po investohet më shumë tek shtimi i arbitreve femra në Shqipëri.

Mirela Milori: Je ndjerë ndonjëherë e paragjykuar?

Emanuela Rusta: Jo, çuditërisht nuk e kam ndjerë këtë paragjykim.

Mirela Milori: Nuk e ke ndjerë këtë paragjykim se je tip moskokëçarës që i shumëzon me zero apo nuk ka ndodhur?

Emanuela Rusta: Është edhe kjo pjesë që nuk e vras shumë mendjen sepse fakti që e kam marrë për ta bërë këtë profesion. Tifozi është tifoz në fund fare, domethënë është tjetër gjë të jesh në fushë dhe tjetër gjë ta shohësh futbollin nga jashtë. Nga jashtë duket çdo gjë gabim, se ti bën tifo për një ekip dhe normalisht ndikohesh, ndërsa kur je në fushë është tjetër gjë. Por që nuk kam ndjerë paragjykime, është edhe pjesa që nuk ia kam vendosur shumë veshin, por kam patur dhe shumë mbështetje, më shkruajnë shumë tifozë ose dashamirës të futbollit, që e vlerësojnë faktin që në futboll ka dhe femra.