Ndërsa nivelet e borxhit të vendeve në zhvillim kanë marrë vëmendjen kryesore gjatë muajve të fundit, shumë pak është folur për një problem më të menjëhershëm: pamundësia e tyre për të siguruar pajisjet mjekësore të nevojshme për të luftuar COVID-19. Për të minimizuar ndikimin negativ, duhet të krijohet shpejt një mekanizëm për shpërndarjen e tyre.

Nga Anne O. Krueger

Pas shkatërrimit të botës së zhvilluar, COVID-19 tani po shkatërron vendet në zhvillim dhe ato të tregjeve në zhvillim, shumicës së të cilave u mungon kapaciteti mjekësor dhe financiar për të luftuar pandeminë dhe efektet e saj ekonomike.

Për ekonomitë e përparuara, linja e parë e mbrojtjes ka qenë distancimi sociale, larja e duarve, mbajtja e maskave dhe izolimet e gjera. Por për vendet më të varfra, kopjimi i kësaj përgjigje është praktikisht e pamundur. Shtëpitë janë të mbipopulluara dhe maskat dhe sapunët janë të pakta. Për më tepër, burimet e ujit dhe ndërtesat e kanalizimeve shpesh ndodhen nëpër rrugica të ngushta dhe shumë njerëz të varfër duhet të dalin çdo ditë nga shtëpitë e tyre për të pasur qasje në to ose për të blerë ushqime. Prandaj, për njerëzit e varfër që mezi mbijetojnë, një izolim i detyrueshëm nënkupton skamje ose ndoshta edhe vdekje nga uria.

Kushtet në shumë pjesë të Indisë tregojnë qartë katastrofën që po shpaloset nëpër tregjet në zhvillim. Kur kryeministri indian Narendra Modi urdhëroi izolimin nëpër shtëpi krejt papritur në fund të marsit, miliona emigrantë humbën vendet e tyre të punës dhe u detyruan të kthehen në fshatrat e tyre qindra kilometra larg. Pa mjete transporti, ata u nisën në këmbë, duke përhapur kështu edhe virusin gjatë rrugës së tyre.

Tani që India e ka hequr izolimin, dhe, me kapacitetet e saj spitalore që po arrijnë limitet e saj, edhe njerëzit që paraqiten në to me simptoma të rënda të COVID-19 po kthehen mbrapsht. Washington Post raporton se, “Para goditjes nga pandemia, India kishte vetëm 0,5 shtretër spitalore për 1,000 banorë, krahasuar me 3.2 në Itali dhe 12.3 në Korenë e Jugut.” Mumbai, një qytet me 20 milionë banorë, ka vetëm 14 shtretër në terapi intensive në dispozicion për pacientët me COVID-19. Megjithatë, deri në fund të korrikut, India pritet të ketë të paktën 500,000 raste infektimesh, nga rreth 30,000 të tillë që ka sot.

Situata është po kaq e rëndë edhe në shumë vende të tjera në zhvillim. Përveç mungesës së kapacitetit spitalor, shumica kanë pak ose aspak kapacitet për të prodhuar pajisje mbrojtëse personale (PPE), ilaçe dhe produkte të tjera kritike. Dhe ndërkohë që ekonomitë e përparuara dhe institucionet ndërkombëtare po bashkërendojnë mbështetjen financiare dhe lehtësimin e borxheve për vendet në zhvillim, kjo mungesë e produkteve thelbësorë mbetet ende për t’u adresuar.

Duke i përkeqësuar akoma më shumë gjërat, të paktën 75 qeveri kanë vendosur kufizime ose ndalime për eksportet e furnizimeve mjekësore, duke bërë që vendet importuese të fillojnë të investojnë në kapacitetin e tyre. Tashmë, kjo po çon në një rreth vicioz, në të cilin kufizimet e eksporteve inkurajojnë kufizimet e importeve dhe anasjelltas.

Në kohë normale, tregjet do t’i shpërndanin këto burime në mënyrë efikase, me rritjen e çmimeve që çon në një kërkesë më të ulët dhe më shumë rezerva. Por kjo nuk mund të ndodhë në një krizë globale. Nuk ndihmon as furnizimi i tregjeve në zhvillim me financim. Fondet e reja do t’i lejonin ata të bëjnë oferta për furnizime në tregjet globale, por efekti do të ishte dërgimi i çmimeve më të larta. Si përfundim, për shkak se furnizimi afatshkurtër i PPE-ve dhe produkteve të tjera është i palakueshëm, vendet më të pasura do të krijojnë turma të varfërish.

Nëse shpërndarja e një vaksine lihet në dorë të tregut, do të ketë një luftë edhe më të fortë ofertash. Pa pasjen e një lloj mekanizmi alokimi, kërkesa fillimisht do të tejkalonte ofertën dhe çmimi do të rritej. Madje, ndërkohë që furnizimi do të rritej dhe presionet e çmimit do të uleshin, do të kishte akoma më shumë probleme. Nëse kufizimet e eksportit vazhdojnë, fabrikat e shtrenjta të prodhimit që po ndërtohen tani do largonin burimet e çmuara nga programet e tyre për të ndihmuar të varfrit. Dhe për shkak se këto fabrika janë në ndërtim e sipër, ato nuk do të shtojnë ndonjë kapacitet prodhues gjatë periudhës së rritjes akute të çmimeve, pikërisht atëherë kur është më e nevojshme.

Në planin afatgjatë, përfundimi i këtyre fabrikave do të nënkuptonte që prodhuesit më efikas në ekonomitë e përparuara nuk mund të rifillojnë të njëjtin nivel shitjesh për vendet më të varfra. Këto vende do të kishin industritë e tyre më pak efikase të furnizimit me pajisje mjekësore, vendeve eksportuese do të mbeteshin me kapacitete të tepërta dhe të gjithë do të ishin akoma më keq.

Shmangia e një rezultati të tillë kërkon një mekanizëm për racionimin e pajisjeve të pakta mjekësore derisa të shtohen furnizimet. Vendet e pasura nuk duhet thjesht t’u ofrojnë para ose hua vendeve më të varfra që këto të fundit të mund të blejnë ato që u duhen, sepse në këtë mënyrë ato do të financonin në mënyrë efikase një luftë ofertash kundër vetvetes. Në vend të parave, vendet që kanë nevojë për pajisje mjekësore duhet të marrin mallra në formë donacionesh.

Komuniteti ndërkombëtar, nga ana e tij, do të duhet të bjerë dakord për kriteret për shpërndarjen e furnizimeve mjekësore dhe më pas t’i vërë ato në zbatim për të parandaluar zhvillimin e tregjeve të zeza. Natyrisht, shkalla e infeksionit dhe kapaciteti i shëndetit publik (ose mungesa e tij) duhet të jenë faktorët kryesorë që duhet të udhëheqin vendimet e alokimit. Por vendet marrëse gjithashtu duhet të bien dakord që të mos shpërdorojnë burime në ndërtimin e kapaciteteve të tyre prodhuese.

Duke pasur parasysh që tashmë ka shumicën e të dhënave të nevojshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të marrë drejtimin përsa i takon alokimit të furnizimeve mjekësore. Në një botë ideale, të gjithë do të merrnin furnizimet e nevojshme pa marrë parasysh aftësinë e tyre për të paguar. Në botën e vërtetë, zhvilluesit e vaksinave dhe prodhuesit e PPE-ve duhet të mund të mbështeten në ndonjë shpërblim për përpjekjet e tyre, ndryshe nuk i marrin fare përsipër këto.

Me një mekanizëm alokimi, të paktën shpërblime të tilla nuk do të mbingarkoheshin nga një luftë ofertash. Më e rëndësishmja, qeveritë në vendet në zhvillim dhe ato të tregjeve në zhvillim do të ishin të pozicionuara më mirë për t’i bërë ballë presioneve proteksioniste dhe për të shpenzuar burimet e tyre të pakta në programe për të përmirësuar pandeminë dhe recesionin. Nëse këto qeveri do të kishin kurajë të mbronin veten e tyre dhe të flisnin, rruga drejt rekuperimit do të jetë shumë më e butë dhe prodhimi global i furnizimeve mjekësore do të jetë më efikas dhe i drejtë, si tani ashtu edhe në planin afatgjatë.

Project Syndicate-Birn