Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, vizitoi sot Autoritetin për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula, e njohu ambasadoren Yuri Kim dhe Lan Crawford, shef i seksionit politik dhe ekonomik, me veprimtarinë e Autoritetit, shtyllat ku mbështetet puna e institucionit dhe sfidat e përditshme.

“Verifikimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë është një nga elementët e rëndësishëm të punës së AIDSSH, në kuadër të drejtësisë tranzicionale. Deri në 31 mars 2020, për Vetingun në drejtësi (KLP, KED, KLGJ, SPAK, Prokurori) janë verifikuar gjithsej 481 kandidatë, nga të cilët 11 figurojnë me dokumente dhe 470 të pastër. Po ashtu, deri më 31 mars 2020, për vetingun në Polici janë verifikuar 78 kandidatë, nga të cilët 5 figurojnë me dokumente. Vendimet përkatëse u janë dërguar institucioneve dhe janë publikuar të shkurtuara në faqen zyrtare të Autoritetit”, tha ajo.

Po ashtu Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, e vuri theksin te çështja e mijëra të zhdukurve me forcë në komunizëm dhe veprimtaria e AIDSSH për qartësimin e fatit të tyre. Përtej hapave konkretë në këtë drejtim dhe projekteve të ndërmarra, janë të nevojshme ndërhyrje ligjore që e lehtësojnë procesin e kërkimit, identifikimit dhe zhvarrimit të viktimave, dhe bashkërendojnë punën e institucioneve.

Nga ana e tij, Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit, veç sfidave me të cilat përballet institucioni, foli për historinë e tij të përndjekjes, internimin në kampin e Tepelenës që pas lindjes dhe jetën e shkuar në fshatrat e internimit në Lushnjë, me mijëra të dënuar e të ndëshkuar të tjerë. Ndërkohë, AIDSSH, e mbështetur në vite nga partnerë e homologë për veprimtaritë komplekse, ka punuar sistematikisht për kthimin e vëmendjes në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, me aktivitete të përvitshme me praninë e të mbijetuarve të kampit dhe familjarëve të tyre, studiuesve, grupeve të interesit dhe të rinjve, për muzealizimin e tij dhe bërjen të vizitueshëm për të gjithë.

Historia e kampit të Tepelenës, ashtu si historitë e përndjekjes së familjeve, intelektualëve, elitës, e shumë të tjerëve, që në moshë të mitur e përgjatë gjithë jetës, ”lufta e klasave” dhe pasojat e saj gjatë diktaturës gjysmëshekullore nuk njihen sa duhet nga shoqëria e sotme shqiptare dhe kryesisht të rinjtë. Kjo për shkak të mungesës së trajtimit të plotë në kurrikulat shkollore të narrativës së komunizmit, e cila, duke u trajtuar e bazuar në fakte historike dhe dëshmi, ndihmon në mospërsëritjen e gabimeve në të tashmen. Takimi u mbyll me premtimin e pranisë së ambasadores në pelegrinazhin e gushtit në Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane për Përkujtimin e Vik timave të Sistemeve Totalitare.