Bashkia e Tiranës ofron një mundësi shumë të mirë praktike mësimore për të rinj dhe të reja që ndjekin studimet e larta universitare, jo vetëm për të përfituar përvojë pune, por edhe për të marrë një certifikatë që shërben si eksperiencë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u dorëzoi certifikatat 15 praktikantëve që përfunduan Programin e Praktikave të Punës “Tirana 100”, prej ku theksoi se kjo është edhe një mundësi shumë e mirë për të nisur karrierën e tyre.

Veliaj vlerësoi të rinjtë për angazhimin e tyre të plotë gjatë periudhës së pandemisë, duke treguar aftësi për t’u përshtatur shumë shpejt me rrethanat e reja që u krijuan. “Unë besoj shumë fort që çdo krizë është një mundësi, pra u nisëm si një grup praktikantësh për të zbatuar projektet tona të 100 vjetorit, por ndonjëherë jo çdo gjë e kontrollojmë dhe devijoi nga një vit festiv, në një vit solidariteti. Krizë ishte edhe tërmeti, edhe pandemia, por ishin mundësi për të zbuluar se jemi njerëz që përshtatemi, që mund të ndryshojmë”, tha Veliaj.

Ai i ftoi të rinjtë që të jenë një zë i fuqishëm i Shqipërisë së mirë dhe solidare. “Do ju ftoja të bëheshit zëdhënës të Shqipërisë së mirë. Ka një kategori njerëzish që bëjnë gjëra dhe një kategori që bëjnë gjithologun duke të dhënë mend si t’i bësh gjërat. Por, kur u thua, pse nuk adopton edhe ti një gjyshe? Thonë: ‘Jo, unë jam të denoncoj faktin se këtu njerëzit po vdesin për bukë’. Kur në fakt, edhe kjo është e pavërtetë. Fushata e solidaritetit në kohën e pandemisë hyn në tre gjërat më mbresëlënëse që kam parë”, vijoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se qëllimi i programeve të intershipit është pikërisht promovimi i djemve dhe vajzave, të cilët nuk vënë kujën për çdo gjë, por pa rënë në sy ndihmojnë dikë në nevojë. Ai nënvizoi se shpesh herë shumë prej vendimeve kërkojnë vendimmarrje të vështira, por ato janë të domosdoshme për të mos bllokuar qytetin, që punët të ecin përpara. Veliaj soli shembullin e Teatrit Kombëtar, i cili për 80 vite nuk u shpall monument kulture, ndërkohë që koha e bëri të domosdoshme ndërtimin e një shtëpie të re për artistët.

“Jam i ndërgjegjshëm sa emocione zgjoi teatri, por pyetja është: Do rrimë peng e nostalgjisë, e cila për 80 vite nuk e shpalli monument kulture dhe nuk pati kurrë mbështetje as nga qeveria fashiste, naziste, komuniste dhe të gjitha qeveritë e tjera? Ne mund ta diskutojmë edhe për 800 vite apo për 8 mijë vite, por duhet me marrë vendime që të ecim përpara. Nëse jeni të qartë me veten tuaj, se profesioni ose puna juaj do të kërkojë edhe marrje vendimesh të vështira, them më mirë merrni vendime të vështira që eventualisht do vlerësohen nga një shumicë e heshtur, se sa nga mania për ta pasur mirë me të gjithë, nuk do të merrni dot asnjë vendim”, deklaroi Veliaj.

Në Bashkinë e Tiranës çdo praktikant ka mundësi të aplikojë njohuritë teorike dhe të ndërmarrë detyra konkrete, duke u përfshirë në projekte lidhur me zhvillimin urban, turizmin, kulturën, sportin, mjedisin, shërbimet sociale, zhvillimi ekonomik vendor, menaxhimin e burimeve njerëzore etj,. Studentët që zgjedhin Bashkinë e Tiranës për të kryer praktikën mësimore vendosen në një mjedis dinamik pune dhe ndërveprojnë me kolegët e çdo njësie organizative, të cilët ndajnë me ta eksperiencën e përditshme të punës.