Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, së bashku me Qeverinë e Luksemburgut i kanë dhuruar 5,000 teste për koronavirus Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes një komunikate për media të UNDP-së, është bërë e ditur se ky donacion vjen si pjesë e një marrëveshjeje të arritur midis Qeverisë së Luksemburgut dhe UNDP-së, për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme për Kosovën, me qëllim të luftimit të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut, kap vlerën e përgjithshme prej 1 milion eurosh, ku prej tyre 460,000 euro do të ndahen për blerjen e deri 20,000 testeve për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për zbulim të koronavrusit. Shuma e mbetur e kontributit është thënë se do të përdoret për ndihmë humanitare, sidomos për familjet që janë prekur nga ky virus.