Nga Albert Nikolla/

Ndërfutja ngatërrueshëm nga Opozita e idesë së “Qeverisë tranzitore” për zgjedhjet është po aq absurde sa “mendjet tranzitore” që e kanë shpikur atë! Është praktikisht e pamundur të vihet në praktikë një kusht i tillë. Mendoni vetëm për një çast kur para çdo palë zgjedhjesh të duhet të formohet një qeveri e re e cila kërkon kohë për ngritjen e saj, e nga ana tjetër do duhet të presim edhe 3 ose 4 muaj pas zgjedhjeve për t’u krijuar qeveria e re e koalicionit fitues në zgjedhje.

Pra qeveria tranzitore na shkon gati një vit, ndërkohë që pas tre vitesh duhet të bëhemi gati për tjetrën qeveri tranzitore. Kjo don me thënë me të mbetë ora te tranzicioni.

Këmbëngulja e Opozitës për qeveri tranzitore 6-mujore para çdo palë zgjedhjesh mendoj se është parakusht tinëzar për të shkaktuar dështimin e reformës zgjedhore, sepse një mendje e kthjellët dhe e shëndoshë reflektuese (jo tranzitore!) duhet të arsyetojë edhe mbi zbatimin praktik të saj.
Nëse principi nga i cili niset Opozita është ai i mosbesimit, në të njëjtën mënyrë mund të arsyetojë edhe Pozita duke pohuar se as ajo nuk ka besim te Opozita e për rrjedhojë ngërçi është i pashmangshëm.

Ky kusht absurd dëshmon se ajo i ka i ka hypur anijes së dëshpërimit politik. Vetëm makthi për humbjen e zgjedhjeve e detyron atë të shpikë parakushte jashtë rrezes së arsyetimit logjik e politik, e aq më tepër jashtë kornizave të standarteve europiane.