Gazetarja Rudina Xhunga tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se situata e krijuar nga koronavirusi tregoi se gazetarët janë në çdo kohë në krye të detyrës.

“Media ka punuar pa turne dhe pa kushte dhe ky ka qenë një ndër momentet më të mira për të treguar që gazetarët janë në krye të detyrës. Të gjithëve do doja t’iu thoja ‘faleminderit’”, tha Xhunga.

Më tej, gazetarja theksoi se të gjithë qytetarët duhen mësuar me realitetin e ri, pasi nuk do të ketë më kurrë rikthim në normalitetin e mëparshëm, edhe pas krijimit të vaksinës.

A është ky një rikthim i Rudina Xhungës?
Po, është një rikthim i ri, kanë çelur lulet, ka shumë diell, por duhet sërish kujdes maksimal. Nuk janë rregullat e qeverisë që mund të të mbrojnë, por edukata jote, higjiena personale. Virusi nuk ka ikur, por ekonomia ka rënë dhe kjo i detyron shtetet të happen. E rëndësishme është të vazhdojmë të lajmë duart, pasi COVID nuk ka ikur, është duke na pritur. Nuk kemi pse i fshihemi policisë, Ramës, por t’i fshihemi virusit. Mjekët po iu bëjnë të qartë mjekëve që nuk ka mbaruar. Asgjë nuk ka mbaruar, virusi mund të na godasë në çdo moment, në verë, në vjeshtë, në dimër. Ne kaluam vetëm fazën e parë, por nuk dihet çfarë mund të ndodhë në fazën e dytë, mund të mbushen spitalet. Tani duke parë që jemi sërish të lirë, fillon e mendon që Zoti e di, na mbrojti vaksina e tuberkulozit, e ku di unë. E vetmja mënyrë për të ndihmuar veten është të rikthehesh në një normalitet të ri, duke menduar se nuk ka kthim pas. Edhe kur vaksina të vijë, mund të vijë nga pandemi tjetër.

Çfarë do të ndodhë me ekonominë? Deri tani nuk kemi menduar për ekonominë. Por, tani kupton që nuk ke para, profesioni yt është i rrezikuar. Por ndërsa disa profesione janë të rrezikuar, disa të tjerë jo. Media nuk është e rrezikuar, IT, dixhitalizimi, prodhimi shqiptar. Kështu që nuk duhet të ndajmë vetëm hallet, por edhe eksperiencat, që atyre profesioneve që iu ecën do duhet t’i ndajmë me ato që nuk iu ecën.

Si po punohet për turizmin? Turizmi mund të na ndihmojë, nëse hapet. Kam qenë në Turqi, kam qenë dhe në Golem, kemi mundësi shumë të mira. Ka Vlora më pak mundësi se Rimini? Jo, Vlora ka mundësi shumë të mira, duhet pak investim. Ka njerëz që do bëjnë plazh në mënyrën e tyre, do kujdesen për veten. Ne po kalojmë nga një moment që na panikoi, por duam edhe të qetësohemi, duam pak diell. Turizmi është të pushosh. Lutja e madhe është jo thjesht të ndihmojmë shqiptarët që kanë krijuar operatorët e turizmit, por edhe ata të kujdesen për veten, të kujdesen për çmimet, të ketë solidaritet. Nuk kam asnjë dyshim që turizmi do të bëhet këtu.

Mund të ketë abuzime me çmimet?- Të gjitha janë, çfarë ka ndodhur, do të ndodhë, nuk jemi bërë më të mirë. Unë kam qenë promovuese e prodhimit shqiptar. Po të promovojmë ushqimet e njëri-tjetrit, t’i konsumojmë ato, më të mirë do të bëhemi. Është momenti të konsumojmë shqip. Po të hapë domate shqiptare, do i kthehemi asaj, apo të konsumojmë birra korça. Ky është momenti më i mirë për t’iu kthyer prodhimit shqiptar, turizmit shqiptar. Këto kohë ne pamë që i kishim, nuk mungoi asgjë. Mua më është dukur vetja në një karantinë evropiane. Çdo gjë vinte në shtëpi. Tani ne duhet të bëjmë të pamundurën që kjo të vazhdojë. Një tokë e punuar, është një tokë që vlen. Do t’i kushtohem prodhimit shqip tani e tutje. Siç informoi deri tani, media ka kohën më të mirë për të treguar sa e bukur është Shqipëria. Është koha për t’iu kthyer Shqipërisë, për ta promovuar atë. Është mënyra më e mirë për të përmirësuar vendin dhe mbajtur ekonominë.