“Eurovisioni”, festivali europian i këngës do të mbahet këtë 16 maj por jo në formën e tij origjinale si një garë ndërkombëtare me një fitues.

I titulluar “Eurovision: Europe Shine A Light”, spektakli do të transmetohet në vend të finales së madhe të Eurovizionit të Këngës 2020, të shtunën më 16 maj në orën 21:00.

Spektakli do të transmetohet në mbi 40 vende dhe përveç 41 këngëve të vitit 2020, prodhimi unik do të përfshijë një performancë speciale nga artistë të njohur nga e kaluara e “Eurovision”-it.

Artistët e vitit 2020, mes tyre edhe Arilena Ara do të bashkohen, me lidhje direkte nga vendet e tyre në të gjithë Evropën, dhe do të bëjnë edhe një performancë të përbashkët me fituesin e vitit 1997 të “Eurovision”-it, për të kënduar “Love Shine A Light” nga Katrina And The Waves.

41 artistët do të këndojnë të gjithë bashkë dhe nuk do ketë as fitues dhe as votim.

“Gjithsesi këngët e sivjetshme nuk mund të vlejnë për vitin tjetër. Përfaqësimi i vitit tjetër varet edhe se sa e mundshme do jetë sivjet të mbahen festivale në shtete të ndryshme për shkak të pandemisë”, tha kryetari i delegacionit të Shqipërisë në Eurovizion, Kleart Duraj për News 24.

Sietse Bakker, producenti ekzekutiv tha për eventin: “Ne duam të bëjmë një shfaqje që vë në qendër të vëmendjes jo vetëm 41 artistët që do të shfaqeshin në Roterdam, por të frymëzojmë ata në shtëpi dhe të bashkojmë njerëz nga e gjithë Evropa dhe më gjerë në këto periudha të vështira. Sigurisht, do të nderojmë edhe ata që janë prekur nga kriza e koronavirusit dhe ata që punojnë kaq shumë për ta luftuar atë. Le ta bëjmë këtë një moment të paharrueshëm në historinë e Eurovision! ”

Shfaqja live pritet të zgjasë 2 orë dhe do të moderohet nga prezantuesit holandezë Chantal Janzen, Edsilia Rombley (Eurovision 1998 dhe 2007) dhe Jan Smit. Do të ketë edhe surpriza më befasuese gjatë natës. “Eurovision: Europe Shine A Light” gjithashtu do të transmetohet LIVE në kanalin zyrtar në YouTube.