Në fund të vitit 1921, i ardhur për herë të dytë në krye të Ministrisë së Brendshme, Ahmet Zogu nisi të vinte në jetë një dëshirë të madhe: të themelonte shërbimin sekret shqiptar.

Qysh nga shpallja e Pavarësisë në vitin 1912, koha kishte dëshmuar një Shqipëri me një shtet fare të brishtë, që thërrmohej brenda pak ditësh nga kryengritje njerëzish me influencë apo grushte shteti të armatosura, herë të nisura nga egot e brendshme për pushtet, herë nga injoranca e herë të paguara nga shtetet fqinje, sidomos ata veriorë.

Pikërisht për ti dhënë fund kësaj, për të pasur mundësinë të kishte informacionet e duhura me qëllim kundër-reagimin në kohën e duhur, Ahmet Zogu themeloi “Sekretarinë Sekrete” – një strukturë spiunazhi në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Kjo ishte ajo që dukej, pasi qëllimi i krijimit të kësaj strukture duket se ka qenë më tepër personal.
Këtë ide ka hedhur Hoxhë Kadri Prishtina, ministër i Drejtësisë në qeverinë që doli nga Kongresi i Lushnjës.

Duke e cilësuar Zogun në kujtimet e tij si një “djalosh malësor të zgjuar”, Hoxhë Kadria shkruan se ai, përmes shërbimit sekret, më tepër ishte i interesuar të konsolidonte pushtetin personal.

Në krye të shërbimit sekret Ahmet Zogu do të vendoste bashkëmoshatarin e vet, Haki Stërmillin, i cili deri në fund të jetës do të dinte të ruante sekretet, duke mundur të mbijetonte edhe gjatë komunizmit, madje të vlerësohej e listohej ndër shkrimtarët e njohur.

Puna për instalimin e shërbimit sekret nis me grumbullimin e informacionit.

“Sekretaria Sekrete” do të ballafaqohej pothuaj menjëherë me një situatë ku vlera e saj do të ishte prioritare.

Kjo sepse, pak javë pas formimit, në pjesën e parë të marsit 1922, agjentët e zyrës do të siguronin të dhëna të rëndësishme për një grusht shteti të organizuar nga disa personazhe me influencë, siç ishin Elez Isuf Ndreu, Bajram Curri etj.

Një nga impenjimet e shumta të agjentëve sekretë të kësaj kohe do të ishin parandalimi i atentateve ndaj autoritetet e larta të vendit. Konkurrenca politike shpesh i konsideronte atentatet si rrugë të shkurtër për tu ngjitur në pushtet kështu që krimi politik ishte një shqetësim i vazhdueshëm dhe alarmant.

Një vit më pas, prill dhe në korrik të vitit 1923, agjentët e “Sekretarisë Sekrete”, e cila qysh nga kjo kohë do të quhej “Zyra Sekrete” arrijnë të parandalojnë në kohë dy atentate ndaj Kryeministrit Ahmet Zogu, që të dyja, të porositura nga kundërshtarët e tij politikë, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina.

Por nuk do të kishte vetëm suksese. Më 23 shkurt të vitit 1924 agjentët sekretë të Ahmet Zogut do të dështonin të mënjanonin një atentat të organizuar ndaj tij në sallën e Parlamentit.

Një nga impenjimet permanente të “Zyrës Sekrete” do të ishte kontrolli i agjenturës së huaj, sidomos asaj greke dhe jugosllave. Në dokumentarin e ciklit Abc Story, “Shërbimi sekret i Ahmet Zogut”, është ndërfutur ekskluzivisht edhe lista e të gjithë spiunëve shqiptarë e të huaj që punonin për grekët, jugosllavët, italianët, austriakët, britanikët etj.(ABC News)