Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, e ka përshkruar qendërmbrojtësin Virgil van Dijk si një lojtar të pabesueshëm, përderisa e ka lavdëruar holandezin për ndikimin që e ka pasur në Liverpool që nga transferimi i tij.

28-vjeçari ka qenë mbresëlënës dhe ka arritur ta transformojë mbrojtjen e Liverpoolit që kur e siguroi transferimin rekordthyes për 75 milionë funte në Anfield, në janar të vitit 2018, transmeton Gazeta Express.

Ai ka arritur të fitojë statusin e njërit ndër lojtarëve më të mirë në botë aktualisht, pasi që me Liverpoolin arriti të shijojë triumf në Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.

Për shumë tifozë, transferimi i Van Dijk ishte pjesa e fundit që mungonte në mozaikun e Liverpoolit të Jurgen Kloppit, përderisa anglezët synonin t’i jepnin fund pritjes së gjatë për trofe.

Paraqitjet e tij kanë qenë aq mbresëlënëse saqë ai ishte afër t’ia marrë Lionel Messit çmimin Topi i Artë vitin e kaluar, përderisa u zgjodh lojtari më i mirë në botë nga UEFA. Të gjitha këto kanë bërë që Henderson ta vlerësojë Van Dijkun si një lojtar të pabesueshëm.

Kur u pyet se çfarë ka sjellë Van Dijku në skuadrën e Kloppit, Henderson u përgjigj: “Çfarë nuk ka sjellë? Unë s’mund ta lavdëroj atë aq sa duhet si lojtar. Natyrisht, të gjithë e dinë se sa i mirë është ai dhe është e mrekullueshme çfarë ka bërë ai për skuadrën në vitet e fundit”, ka thënë Henderson.

“Ai ka fituar çmime individuale dhe e ka bërë këtë me meritë. Ai është një mbrojtës i pabesueshëm, një lojtar i pabesueshëm”.

“Por, për mua, ai ka sjellë diçka edhe më të madhe jashtë fushës së lojës. Unë s’mund ta lavdëroj atë aq sa duhet për llojin e burrit që është dhe karakterin që e ka”.