-Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi mbrëmjen e djeshme që të miratojë shembjen e godinës së ish-Teatrit Popullor, sot teatri Kombëtar. Përpos një grupi artistësh, Presidenti dhe opozita e drejtuar nga Partia Demokratike kanë kundërshtuar vendimin me akuza të forta kundër qeverisë Rama, madje edhe me padi në Gjykatën Kushtetuese dhe prokurorinë e Tiranës. Kundërshtarë të projektit duke përfshirë Presidentin Ilir Meta, ish-presidentin Sali berisha dhe eksponentë të opozitës u shprehën se teatri është objekt i trashëgiminë sonë kulturore kombëtare.

Në fakt ata që nuk e kanë përfshirë ish-Teatri popullor, sot Teatri Kombëtar në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore, ka qenë pikërisht qeveria e drejtuar nga Sali Berisha në vitin 2007. Historia fillon ne viti 2000 ku përmes një VKM-je qeveria socialiste e drejtuar asokohe nga Ilir Meta u shpall qendra historike e Tiranës, që përfshinte sheshin, bulevardin, etj, por vetëm si hapësirë gjeografike pa përcaktuar konkretisht cilat ishin objektet që përfshiheshin në këtë vendim.

Vetëm 7 vite më pas, pra në 2007 kur kryeministri ishte Sali Berisha, ministri i Kulturës së PD-së, Bujar Leskaj (sot në krye të KLSH-së) firmosi një vendim të detajuar që listonte objektet e trashëgimisë kulturore, duke plotësuar kështu vendimin e vitit 2000. Në listë janë 108 objekte që janë caktuar si trashëgimi kulturore. Në atë listë me 108 objekte ndodhet çdo gjë e mundshme, ministritë, piramida, hotel, piramida, godina të ndryshme dhe vila pa fund, që Berisha është kujdesur që të futen në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, por teatri kombëtar nuk u përfshi.

Pra Partia Demokratike nuk e përfshiu Teatrin Kombëtar në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore. Në 2017, 4 vite pasi kishte ardhur në pushtet, Edi Rama shfuqizoi vendimin e vitit 2000 për shpalljen e qendrës historike të Tiranës, e cila theksojmë se nuk përcaktonte konkretisht objektet që duheshin ruajtur si pjesë e trashëgimisë kulturore, por ndante në përgjithësi zonat në qendra historike.

Ndërsa vendimi i 2007 formalisht është ende në fuqi dhe kryeministri Edi Rama nuk nguroi që ta përshëndeste edhe mbrëmë kur tha se “Në 2007 Berisha e hoqi teatrin nga lista e objekteve të trashëgimisë dhe shumë mirë bëri”. Sali Berisha e braktisi teatrin duke e lënë jashtë listës, ndërsa sot akuzon kush duhet të prishet, por e kaluara e tradhton. Fakti që ish-teatri popullor nuk ishte përfshirë në atë listë rrëzon të paktën pretendimin që Ilir Meta bazon padinë e tij të dytë në Kushtetuese ku thekson se ish-teatri popullor, sot teatri kombëtar është objekt i trashëgimisë kulturore. Në fakt Teatri kombëtare nuk ka asnjë status ligjor që e mbron./shqiptarja.com