Regjisori Altin Basha është në reshtin e artistëve që janë renditur “pro” shembjes së Teatrit Kombëtar, të cilin e quan një “godinë që nuk u bë dot kurrë teatër”. Ai shprehet se pamja kur godina po shembej dalëngadalë, është e trishtueshme, por që hija e hidhërimit zhduket shumë shpejt për shkak se aty do ndërtohet një Teatër i ri. Basha nuk e ka quajtur një veprim të nxituar ndërhyrjen gjatë natës të forcave policore, por përkundrazi e quan të “vonuar” ndërhyrjen pas 3 vitesh.

“Në pamje e trishtueshme, por nuk është pa arsye, nuk është një gjë që do të mbetet ashtu, do nisin punimet e një teatri të ri. Ajo ndërtesë lindi për të mos qenë teatër, u adoptua, po nuk u bë kurrë teatër. Është përfundimi i një procesi 3-vjeçar. Periudha e fundit u bë krejtësisht agonie, rrinin njerëz që nuk e dinin ca bënin, shfaqje të improvizuara, të paverifikuara, u bë një gjendje e padurueshme, që nuk kishte sens, duhet të merrte drejtim kjo gjë”, tha Basha.

Si anëtarë i Komisionit të vlerësimit të Ofertës, Basha ka zbuluar dhe pikën ku nuk është arritur dakordësi me kompaninë “Fusha” për ndërtimin e Teatrit. Sipas tij, i gjithë ngërçi ka qenë tek teknologjia e skenës, për të cilën kompania nuk e mori dot përsipër për shkak të kostos së lartë.

“Nuk arritëm kurrë në një marrëveshje me kompaninë Fusha. Në komisionin për vlerësimin e ofertave, ishin negociata që zgjatën shumë gjatë, ishin shumë intesive. kishin të bënin me mënyrën se si do të ndërtohej, kërkesa e e komunitetit të artistëve, teknologjia skenike këtu këmbëngulën ne, që të ishte një teknologji shumë e lartë. Bëhet fjalë për Teknologjinë e skenës, sipërfaqen skenike, bëhet fjalë për një rrotativë, me dy xhepa sa skena, që në teatrot moderne skenografitë ndërtohen jashtë dhe futen në kohë reale për audiencën, vjen në skenë ku i duhet regjisorit. Po flasim për një tavan skenik të automatizuar, që kushtonte 10-15 mln euro. Kërkesa jonë kompanisë Fusha i rriste koston dhe këtu nuk arritën në dakordësi”, tha Basha, duke theksuar se e gjitha kjo është e dokumentuar me procesverbale në Bashki.
Ai ka renditur edhe arsye se përse ky teatër nuk duhet të rikonstruktohet siç ka qenë.

“Kam qenë partizan i restaurimit, në bazë të ekspertëve që e kanë lënë të shkruar për gjendjen e ndërtesë, thonë që ndërtesa është në rrezik shembje. Nëse do ndërtohet siç ka qenë, nuk do ketë gardërobë, nuk do ketë tualete mjaftueshëm. Edhe kotecat e pulave i rezistojnë tërmeteve, por prap kotec mbeten! S’është argument që i rezistoi tërmetit dhe është i vlefshëm”, tha mes të tjerave regjisori.