Edhe pse në kohë lufte për shkak të COVID 19, e në një kohë kur qeveria po përpiqet të ndihmojë shtresat që preken më shumë nga situata e krijuar, përfshirë këtu edhe biznesin e vogël e të mesëm, ka nga ato biznese të mëdha që shkojnë deri aty sa kërkojnë nga shteti subvencionim edhe të fitimit të munguar për këtë periudhë.

Duke folur në TV Scan për heqjen e taksave për biznesin e vogël, në mënyrë që t’i jepet një ndihmë për kalimin e kësaj situate, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se biznesi i madh duhet të tregohet i arsyeshëm, pasi në këtë situatë s’mund të kërkojë fitimin e munguar, kur qeveria dhe bashkia janë duke ndihmuar biznesin e vogël dhe familjet në vështirësi. Mandej, ai shtoi se biznesi i madh mjafton të shesin një nga makinat luksoze që posedojnë, mbajtja e të cilave kërkon minimumi dy paga mujore të një familje të zakonshme shqiptare.

Nese je biz VIP, s’ka sens t’i kerkosh qeverise fitim te munguar ne lufte! Shit makinen! Ndihmat jane per punetoret qe te bene te pasur!

“Kam dëgjuar biznese që i thonë kryeministrit: “Po fitimin e munguar”? Nuk ka bërë vaki, edhe Lufta e II-të Botërore, edhe Lufta e Ftohtë, apo luftëra të tjera, që bizneset jo vetëm të mos bëjnë sakrificë, por t’i kërkojnë qeverisë, e cila është në luftë, më paguaj edhe fitimin. Për kuriozitetin tuaj, në Tiranë sot janë regjistruar 43 Bentley, në Tiranë ka 7 Aston Martin, 185 Cadillac, 23 Ferrari, 149 Hummer. Ka më shumë Hummer biznesi i madh sesa ushtria jonë e NATO-s. Në Tiranë ka 10 Lamborghini, 57 Maseratti, 16 Rolls Royce, 10 Maybach (Mercedes), 20 Corvette, 1066 Porsche dhe 403 Range Rover të tipit të fundit. Unë e kuptoj kur je biznes i vogël dhe i mesëm, bashkia të heq taksat, kurse qeveria të heq rrogat. Por, kur një biznes i madh në 6 javë, nuk ka shitur asnjë prej këtyre mjeteve të luksit, përkundrazi ka paguar edhe taksën e Hummer, të Corvette, Aston Martin, Ferrari-t, Lamborghini-t, Porsche, pra e ka paguar taksën e luksit dhe i thotë qeverisë “dua fitimin e munguar”, ndërkohë që duhet gjithashtu që qeveria dhe bashkia të kontribuojë për ata punëtorë, se ata punëtorë ta kanë blerë Aston Martin, ata punëtorë ta kanë blerë Corvette, ata punëtorë ta kanë blerë Ferrari-n; pra, puna e këtyre punëtorëve të ka nxjerrë në selamet”, tha Veliaj.