Pas përfundimit të suksesshëm të fazës së parë të procesit të pranimit të Shqipërisë dhe MV, Komisioni po punon për Paketën e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, që pritet në qershor, si dhe planin ekonomik për rajonin, deklaroi Komisioneri i BE-së për Zgjerimi, Oliver Varhelyi në një intervistë për EWB.

”Javët që kaluan kanë qenë të mbushura me ngjarje. Në javën më të keqe për kontinentin tonë, kur ai u godit ashpër nga pandemia e koronavirusit, shtetet anëtare të BE-së hapën dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shtoi ai.

”Komisioni meriton pjesën më të madhe për këtë sukses, me propozimin e tij për metodologjinë e re të zgjerimit dhe raportet e përditësuara për përparimin e Tiranës dhe Shkupit, që shihet gjerësisht si instrument për kompromisin përfundimtar. Me rishikimin e metodologjisë për procesin e zgjerimit dhe me vendimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne kemi vendosur përsëri në rrugën e duhur politikën e zgjerimit. Ne kemi rivendosur besueshmërinë e tij, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për shtetet tona anëtare”, theksoi Varhelyi.

”Zgjerimi mbetet një nga politikat kryesore të Bashkimit Europian, dhe madje tetorin e kaluar, kur Këshilli Europian nuk arriti një marrëveshje për hapjen e bisedimeve, perspektiva e BE-së nuk u diskutua. Sidoqoftë u bë e qartë se procesi nuk kishte besueshmëri”, shtoi ai.

”Qasja e re u miratua unanimisht, përfshirë edhe nga liderët e BE-së. Vendimi për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte një konfirmim praktik. Dhe ne ishim në gjendje t’i merrnim këto vendime megjithë situatën e vështirë të sjellë nga pandemia e koronavirusit”, theksoi komisioneri.

”Tashmë ka filluar përgatitja e kornizave të bisedimeve. Ne planifikojmë t’i vendosim ato në tryezën e Këshillit sa më shpejt që të kemi mundësi, shpresoj deri në qershor, kur do të dalim me Paketën Vjetore të Zgjerimit. Në këtë mënyrë diskutimet mbi kornizat e bisedimeve në Këshill mund të fillojnë shpejt”, tha ai.

”Pandemia e koronavirusit ka një ndikim të madh për të gjithë ne, për institucionet e BE-së, shtetet anëtare dhe Ballkanin Perëndimor. Ne të gjithë jemi shumë të përqendruar në shpëtimin e jetëve, duke mbështetur sektorët e shëndetit dhe në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik, për të shmangur pasojat edhe më shkatërruese. Detyrat tona kryesore megjithatë vazhdojnë dhe unë pres që paketa të paraqitet në qershor”, shtoi Varhelyi.

”Ne jemi në një kontakt shumë të ngushtë me të gjithë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor kur bëhet fjalë për krizën e koronavirusit për të ndihmuar sa më shumë që të mundemi. Partnerët tanë kanë ndërmarrë masat që ata konsideruan të nevojshme për të adresuar krizën, duke qenë të vetëdijshëm për nevojën për të qenë efektivë dhe proporcionalë. Ne kemi parë disa masa, por duhet të dimë se kjo krizë nuk ka skenar. Është e qartë që ne mund ta mposhtim atë vetëm së bashku, dhe kjo është ajo ku jemi përqendruar”, deklaroi Komisioneri i BE-së për Zgjerimi, Oliver Varhelyi në një intervistë për EWB.