Nga Lutfi Dervishi/

Sot në rrugë të Tiranës malli më i dukshëm në fytyrat e kujtdo, më i kërkuari në treg dhe më i pakontrolluari është maska!Dikush e mban të varur në qafë si qafore, dikush mbulon vetëm gojën, dikush tjetër vetëm hundën dikush e trajton si kapele që e heq dhe e vë sa herë t’i teket. Në markete (në bankaë po e po) nuk të qasin nëse nuk mban një maskë në fytyrë.

Në fillim këshilla nga ekspertët dhe autoritetet që i referoheshin ekspertëve ishte shumë e qartë: maskë nuk ka pse përdor. Maskat duhen për personalin mjekësor. Ti e mban maskën, por jo për të mbrojtur veten, por mbron tjetrin.
Edhe vetë OBSH ende mbështet këtë qëndrim.

Por njëri- pas tjetrit vende të ndryshme në kontinente të ndryshme po sugjerojnë që ndoshta nuk është keq të përdorësh maskëEdhe në Shqipëri këshilla e ekspertëve ka kaluar në fazën e dytë: nga përdorimi i personelit mjekësor te këshilla që kur del në publik mirë është të mbash një maskë.

Tani vijmë te maskat!

Maskat sot i gjen në markete, në farmaci, dhe sidomos on line. Çmimet variojnë nga 100 lekë deri në 7000 lekë copa. Maska një përdorimshe dhe maska shumë përdorimshe.Shqetësues është fakti se këshillat e përdorimit janë të qarta, (për maskat shumë përdorimshe), por ti thjesht nuk e di kush i ka dhënë këto këshilla.

1. Larje në lavatrice me 90 gradë
2. Dezinfektim me alkool etilik
3. Hekur i nxehtë.

Maskat befas janë kthyer në mall të kërkuar, por është dhe malli më i pakontrolluar. Padyshim se është biznesi më i mirë për momentin, por ngre pikëpyetje çfarë ndikimi ka ky biznes në shëndetin e përdoruesit? Kush jep garanci për përdorimin e maskave që shiten? Kush i ka prodhuar?

Mbi të gjitha si duhet përdorur maska? Të gjithë u mësuam edhe falë njoftimeve të përsëritura për rëndësinë e larjes së duarve me sapun, për kollitijen/teshtimën, për distancën që duhet të mbajmë, për rëndësinë që ka mos dhënia e dorës apo përqafimi.Sheh njerëz që e kapin maskën me dorë dhe e heqin kur flasin, të tjerë që e nxjerrin dhe e fusin në xhep si të jetë shami hundësh, dhe të tjerë që kanë shumë merak anën estetike që maska të shkojë me ngjyrën e këmishës apo xhaketës.

Ka ardhur koha që ekspertët që kanë rënë dakord për shumë gjëra me njëri-tjetrin në parandalimin e përhapjes së covid19, të debatojnë hapur për dobinë/dëmin e mbajtjes së maskave.P.S. Maksat ndoshta është mirë të mbahen (në Tiranë) sapo 200 mijë makinat që janë të parkuara të ndizen dhe të qarkullojnë në rrugë. është e vetmja mënyrë për të mbrojtur mushkritë. Sot për sot ajri Tiranës është po aq i pastër sa në Pogradec.