Nga Alfred Peza
Ndërkohë që Shqipëria ia ka dalë deri tani, që ta tejkalojë me sukses pikën kritike të pandemisë duke e shoqëruar këtë edhe me hapjen e kujdesshme të bizneseve dhe lëvizjes së qytetarëve, liderët e Partisë Demokratike ka hedhur në treg tezën më ekstreme politike të kësaj periudhe. Duke u bërë thirrje qytetarëve, që të ngrihen në protesta kundër qeverisë, me pretekstin se ajo po shkel të drejtat e njeriut.

Aq dëshpërimisht duket se kanë pritur që mazhoranca të dështonte në menaxhimin e kësaj situate përballë Covid-19, sa në vend që ti gëzoheshin faktit se masat shtërngues prodhuan rezultate duke ruajtur jetën dhe shëndetin e shqiptarëve, po tentojnë që ti instrumentalizojnë ato për të kundërtën. Duke arritur deri atje, sa të deklarojnë se rreziku nga Kryeministri Edi Rama, qënka edhe më i madh sesa nga virusi vrasës!

Opozitarët tanë as nuk e fshehin, që e kanë vendosur që në fillim të kësaj pandemie, partinë mbi Shqipërinë. Interesat e tyre të ngushta partiake, mbi shëndetin e njerëzve. Aksionin e tyre opozitar, mbi masat shtërnguese të qeverisë, mbështetur tek udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndaj edhe ia kanë lejuar vetes gjithë këtë kohë, që të tentojnë të bëjnë veç lojë politike, në kurriz të jetës së shqiptarëve.

Tani që me sa duket e kuptuan se nuk ia dolën dot, pasi kurba e pandemisë në Shqipëri po tregon çdo ditë e më shumë se situata është nën kontroll, janë alarmuar. Dhe me të drejtë. Sepse në fund të gjithë kësaj qasje, llogaritë e tyre janë thjeshtë dhe vetëm politike e elektorale, dhe jo në raport me ruajtjen e shëndetit publik.

Ndaj të para nga kjo optikë e tyre, suksesi i menaxhimit të pandemisë për Shqipërinë, do të thotë vlerë e shtuar politike dhe elektorale për mazhorancën socialiste. E pikërisht për këtë arësye me sa duket, Edi Rama është për ta sot, edhe më i rrezikshëm se Covid-19. Sepse përmes rezultateve të punës së tij, ai rrezikon që ti lerë pas kësaj, edhe 4 vite të tjera në opozitë. E kjo në sytë e tyre, do të thotë “vdekje” politike, për opozitën.

Ajo që e dallon më tepër së çdo gjë tjetër PD, në raport me partitë e tjera të të gjithë spektrit politik përgjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri, është filozofia e saj e protestave. Sepse, ajo lindi nga protestat në fillim të viteve ’90, derisa erdhi në pushtet më 1992. Vijoi me protesta, përgjatë opozitës së parë (1997-2005), derisa u rikthye sërisht në pushtet. E po kështu vazhdon sërisht me protesta edhe tani pas 2013, sigurisht me shpresën, se kjo është e vetmja rrugë që ajo di të ndjekë për tu rikthyer në pushtetit.

Kjo është edhe arësyeja, se përse i kanë rënë të njëjtave daulle këto 6-7 vjet, sepse PD duket se nuk di të bëjë gjë tjetër. Ajo i ka humbur me kalimin e viteve, tiparet e një partie ideologjike, programore dhe elektorale. Duke u shndërruar thjeshtë në një shtab politik, që qëndron brenda zyrave të SHQUP-it, për të bërë veç deklarata dhe thirrje për protesta. Duke mos patur më as program, as projekt politik, as vizion dhe as struktura kapilare nga qendra në bazë, që do ti garantonin fitoren në ballafaqimet e ardhme elektorale.

Frymëzuesi i tezës për zhvillimin e protestave, edhe tani në kohën e pandemisë, dihet që është “lideri historik” i Partisë Demokratike, Sali Berisha. I kompleksuar e i furstruar si gjithmonë pas tij, shkoi edhe kryetari aktual Lulzim Basha dhe më pas si gjithmonë, të tjerët me radhë.

Duke e lënë mënjanë faktin se Berisha është mjek dhe se duhej të ishte flamurtari i mbështetjes dhe inkurajimit të kolegëve të tij në sistemin shëndetësor që ndodhen në vijën e zjarrit, le të rikthejmë në vëmendje qëndrimin e tij personal përballë koronavisurit.

I pyetur nga një gazetar nëse do ta thyente ai vetë karantinën, Berisha u përgjigj: “Unë respektoj me rigorozitet të madh karantinën, për t’u mbrojtur nga një armik i egër, siç është Covid-19”. Dhe hajde mos i besoni pas kësaj sinqeritetit të liderëve të opozitës, kur ju qajnë hallin dhe ju ftojnë që jo ata vetë, por ju të dilni në rrugë për ta e të protestoni kundër qeverisë!