Nga Alfred Peza/ Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh për herë të dytë brenda pak ditësh, me të njëjtin objekt si edhe herën e parë: Informimin, këshillimin dhe koordinimin e punës së institucioneve kryesore të shtetit shqiptar, në luftën kundër koronavirusit. “Sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv, politika do të ishte ndryshe”,- tha Kryeministri Edi Rama në përfundim të këtij takimi virtual, i cili reflektoi sëmundjen e kahershme të elitës opozitare të vendit, për sjelljen me dy fytyra.

Kryesfida aktuale e Shqipërisë, sikundër e të gjitha shteteve, qeverive, organizmave dhe organizatave ndërkombëtare dhe deri e çdo biznesi, familje e individi është sot e lidhur me mbijetesën e qytetarëve, përmes luftës me sa më pak humbje njerëzore përballë Covid-19. Fatmirësisht, hyjmë tek ato shtete që e kemi kaluar pikun e pandemisë. Ndaj kërkohet mbajtja nën kontroll e vatrave aktive, përmes hetimit epidemiologjik, gjurmimit e trajtimit të çdo rasti, deri në uljen drejt shuarjes të kurbës së rrezikut.
Hapja graduale përmes protokolleve strikte, deri në rikthimin hap pas hapi të normalitetit të jetës së qytetarëve dhe bizneseve, mbetet preokupimi kryesor. Shqipëria ka sfida të njëjta me të gjitha vendet e sulmuara nga virusi vrasës, ndërkohë që udhëheqësit botërorë, janë duke menduar e punuar për zbulimin dhe prodhimin e vaksinës kundër saj. Përtej lajmeve të përditshme, ajo nuk pritet të jetë gati, përpara një apo një viti e gjysëm. Kjo kohë duhet shfrytëzuar për tu përshtatur me realitetin e ri global, për tu orientuar sa më shpejt drejt rifillimit të një jete të re, në kushtet e epokës së post- pandemisë.

Qeveria e Kryeministrit Edi Rama po tregohet sa e vendosur për të zbatuar rregullat strikte të përcaktuar nga Komitetit Teknik i Ekspertëve dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të popullatës. Por edhe shumë e matur, për të hedhur në mënyrë sa më të studiuar, hapat që do na çojnë drejt rifillimit të jetës normale të qytetarëve dhe aktivitetit të biznesit. Në përfundim të kësaj lufte, bilanci bëhet duke patur sa më pak humbje njerëzore dhe mbylljen e sa më pak bizneseve që kanë qenë aktive deri para fillimit të pandemisë. E më pas, meraku i të gjitha qeverive, përfshi edhe tonë, është tek projekti për rifillimin e jetës social- ekonomike të vendit në kushtet e distancimit social dhe të një trendi të ri global që do ta pasojë atë.

Falë nivelit të lartë të penetrimit të internetit, programeve dhe projekteve të mëparshme të qeverisë për ofrimin e shumë shërbimeve online për qytetarët, si dhe përhapjes në masë të platformave dhe aplikacioneve në punën e institucioneve, pushtetit qëndror e lokal dhe biznesit privat, Shqipëria ja doli që të vijonte jetën e saj ekonomike, edhe në kushtet më ekstreme të izolimit të detyrueshëm social. Provë e qartë e kaluar me sukses, se kemi një bazë solide, për tu mbështetur në të ardhmen. Ekspertët më të mirë ndërkombëtarë dhe vendas të biznesit, ekonomisë, arsimit, sociologjisë dhe shumë fushave të tjera studimore, bien dakord sot se e ardhmja e jetës sonë pas pandemisë, do të bazohet gjithnjë e më tepër tek aftësia për të përdorur dhe aplikuar çdo ditë më në masë, teknologjitë digjitale në të gjitha fushat e jetës.

Në këto kushte është e domosdoshme që tani të programohemi, të informohemi në vijimësi dhe të përshtasim në kushtet shqiptare, të gjitha hapat që po përgatiten të hedhin në të ardhmen e afërt e më pas në vijimësi, vendet e tjera. Qoftë në projektet shtetërore, të qeverisjes dhe makroekonomisë. Por edhe në raport me bizneset e ngjashme, ku gjithësecili prej nesh është i aktivizuar sot, apo po përgatitet përmes shkollimit e trajnimit, që të përfshihet në të ardhmen. Të gjitha degët e ekonomisë e financave, turizmit dhe transportit, shitjeve me shumicë e pakisë, shërbimeve dhe prodhimit, e deri tek shkolla dhe fushat e tjera të edukimit e kulturës, do të ndryshojnë kush më shumë e kush më pak. Ato do të riogranizohen e do të revolucionarizohen, në kushtet e një jete të re sociale të njerëzimit, që do të diktohet sëtepërmi nga efektet afatgjata të pandemisë së koronavirusit.

Tregjet dhe ekonomitë e vogla si ato të Shqipërisë, kanë fatin e keq se mund të goditen më shumë se të tjerat, në raport me nivelin e mirëqenies aktuale. Por, nga ana tjetër, çdo sfidë e rë është një mundësi e madhe, për të gjithë ata që dinë të orientohen në kohë dhe në hapësirë, duke rendur drejt së ardhmes. Shqiptarët vijnë nga një histori e gjatë izolimi, luftrash dhe varfërie ekstreme, duke u bërë në këto 30 vitet e fundit, pjesë e dinamikave dhe zhvillimeve të reja deri dje, krejt të panjohura. Deri më sot ia kemi dalë që megjithë vështirësitë, të orientohemi drejt sfidave të ekonomisë së tregut dhe të globalizmit, duke krijuar mjaft histori suksesi brenda dhe jashtë vendit. Ndaj, për shkak edhe të urisë dhe ambicjeve për sukses të shpejtë e të spikatur në një kohë sa më të shkurtër, do të dimë tia dalim po aq mirë, sa edhe popujt e tjerë. Jeta e vështirë i ka mësuar shqiptarët, se kurrë nuk mund të mposhtet, dikush që nuk dorëzohet!