Nga data 21 prill të gjithë subjektet ekonomike që janë përfitues nga paketa e dytë financiare e qeverisë do të duhet të aplikojnë në faqen e administratës tatimore, konkretisht në rubrikën E-filing.

Shuma është 40 mijë lekë dhe e përfitojnë vetëm një herë, të gjithë të punësuarit në biznes të madh e të vogël, që kanë qenë të mbyllur apo i ka rënë xhiroja gjatë këtyre javëve.

Administrata tatimore njofton se do të duhet të aplikojnë ato biznese me xhiro mbi 14 mln lekë në vit, që kanë qenë të mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, ku qeveria llogarit se janë 26 mijë të punësuar.

Përfitues janë edhe rreth 40 mijë individë që kanë dalë të papunë nga muaji mars deri në 10 prill 2020. Gjithashtu, përfitues janë edhe ata që janë të punësuar në strukturat akomoduese, ku numërohen rreth 10 mijë individë.

Por tatimet sqarojnë se në paketën e dytë përfitues janë edhe ato bzinese të vogla e të mëdha që kanë qenë të hapura me urdhër, por praktikisht s’kanë pasur punë për shkak të masave izoluese. Në këtë kategori përfshihen rreth 100 mijë të punësuar.

Sipas Vizion Plus, pasi të jenë plotësuar kriteret e mësipërme, tatimpaguesi njoftohet në llogarinë tij personale në E-filing për të vijuar më tej me aplikimin. Plotësimi i formularit do të kryhet nga subjekti edhe për të punësuarit.

Çdo individ përfitues duhet të ketë një llogari bankare. Tatimet sqarojnë edhe se cilat janë kategoritë që nuk përfitojnë ndihmë. Janë kryesisht profesionet e lira, si avokat, noter, mjek, inxhinjer, farmacist, projektues, mjek-laburant, kontabilist, agronom etj.

Gjithashtu nuk përfitojnë as ata të punësuar që kanë të ardhura vjetore nga paga 2 milionë lekë në vit, si dhe ata të dypunësuar, të cilët do të marin vetëm një herë shumë përfituese.