Policia e Shtetit ka gjobitur gjatë 24 orëve të fundit 330 këmbësor, 43 drejtues mjetesh, si edhe 6 pronarë subjektesh janë proceduar, pasi nuk kanë respektuar masat e vendosura nga qeveria sa i takon betejës ndaj COVID-19.

Policia e Shtetit, njofton se gjatë monitorimit janë gjobitur dhe 4 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

“Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19”,- njofton Policia.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 43 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti”- bënë me dije Policia.

“Në Gjirokastër është arrestuar në flagrancë shtetasi J. C., 23 vjeç, banues në Këlcyrë, sepse gjatë pasdites së djeshme, në qytetin e Këlcyrës, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi një motoçikletë pa targa”,- sqaron Policia.

“Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 330 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë”,- njofton Policia.

“Në Tiranë është proceduar penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasi M. I., 22 vjeç, banues në Kavajë, pasi po lëvizte gjatë orarit të kufizuar të lëvizjes dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me vrap”,- vijon njoftimi.

“Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 4 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura”,- sqarohet në njoftim.

“Në të gjithë vendin janë konstatuar 6 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19”,- përfundon njoftimi.