Ministri i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiç, tha sot se aplikimi i reciprocitetit të paralajmëruar nga Kosova, është më i keq sesa taksa 100%.

Ministri serb, duke folur për qarkullimin e mallrave, pas heqjes së taksës më 1 prill, tha se disa mallra kanë shkuar në Kosovë, ndonëse në sasi të papërfillshme, megjithatë ato shkuan.

”Nëse aplikohet reciprociteti siç është paralajmëruar, që në të gjitha faturat duhet të deklarohet mallrat se dërgohen në Republikën e Kosovës, ato mallra nuk do të shkojnë, sepse autoritetet tona doganore nuk mund të t’i njohin këto dokumente “, tha Lajiç për televizionin publik serb.

Ai tha se tregtia me Kosovën do të jetë zero. Lajiç tha se vendimi i qeverisë së Kosovës ka kuptim vetëm atëherë kur të hiqen plotësisht taksat dhe të kthehet gjendja që ishte para 21 nëntorit të vitit 2018.