Tiranë, 2 Prill- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se në Shërbimin Infektiv nuk mungojnë preparatet për trajtimin e të prekurit me COVID-19, të cilët po kurohen sipas protokolleve të vendeve të tjera botërore.

“Nuk mungon asgjë pēr trajtimin e të prekurve me COVID-19 në spitalin Infektiv. Po ecim me të giitha protokollet që po përdorin edhe vendet e tjera të botës.Në Shërbimin Infektiv ka mbërritur sasi e medikamentit Hidroklorikina për trajtimin e COVID-19, medikament i cili po përdoret edhe në vende të tjera të botës. Në Shërbimin Infektiv kemi rritur me tre herë numrin e respiratorëve dhe situata aktule po përballohet me sukses”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se jemi në një situatë ku duhet të pergatitemi për shumë skenare dhe qeveria shqiptare ka firmosur blerjen e 50 respiratorëve të tjerë.

“Sot janë shtuar 5 respiratore që janë instaluar në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Do të vijnë sipas kontratës 54 respiratorë. Ndërkohë sot qeveria shqiptare ka firmosur blerjen e 50 respiratorëve të tjere. Ne jemi në një situatë dinamike dhe ku duhet të përgatitemi për shumë skenare” u shpreh ministrja Manastirliu.

Në përfundim Manastriliu tha se vetmja armë që kemi aktualisht për të luftuar COVID-19 është distancimin social, dhe bëri apel qytetarëve të respektojnë masat.