Tiranë, 15 Prill – “Jemi duke përgatitur një testim për antitrupat të fokusuar për mjekët, një testim serologjik”. Në një lidhje direkte në Top Channel, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastarliu, tha se ky testim do të fillojë javës tjetër dhe do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Ky testim do të shtrihet në grupet e riskuara që janë mjekët, që janë policët dhe personat që e kanë kaluar, apo po e kalojnë këtë sëmundje. Është një test që do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Testet janë blerë, struktura është ngritur. Instituti i Shëndetit Publik dhe QSUT po punojnë për të elaboruar këtë testim. Çdo gjë është gati për të filluar javës tjetër”, bëri të ditur Manastirliu.

Duke ritheksuar se mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet, Manastirliu tha se janë kryer më shumë se 740 testime në personel shëndetësor, nga të cilët 52 kanë rezultuar pozitivë, kryesisht asimptomatikë, dhe janë 36 personel shëndetësor të shëruar.