Të dhëna të publikuara nga kompania ‘Apple’ mbi trendin e lëvizshmërisë së popullatës gjatë muajve të fundit, tregojnë që masa shtrënguese të marra nga qeveria e kanë reduktuar ndjeshëm lëvizjen e popullsisë.

Të dhënat e ‘Apple’ tregojnë që lëvizja e popullsisë në këmbë dhe me makinë ra duke filluar nga data 9 mars kur u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19.

Rënia drastike e lëvizjes megjithatë u shënjua me 13 mars, pas vendosjes së ndalimit të lëvizjes në Tiranë dhe Durrës nga qeveria, dhe ka mbetur në një nivel të përafërt që nga ajo periudhë – me një ulje afërsisht 66 % të krahasuar me periudhën normale në janar .

Këto të dhëna gjenerohen duke llogaritur numrin e kërkesave të bëra në ‘Apple Maps’ për udhëzime për adresa/destinacione të caktuara në vendet / rajonet dhe qytetet e zgjedhura. Disponueshmëria e të dhënave në një vend / rajon ose qytet të veçantë i nënshtrohet një numri faktorësh, duke përfshirë pragjet minimale për kërkesat e bëra gjatë një ditë.

Duke qenë së numri i kërkesave nga Shqipëria ndaj shërbimit ‘Maps’ të ‘Apple’ janë të kufizuara, të dhënat e publikuara janë në rang vendi.

Gjatë javëve të fundit, kompanitë Google dhe Apple po përdorin sasinë e jashtëzakonshme të të dhënave që mbledhin për të vlerësuar zbatimin e masave për t’u vetëizoluar nga popullatat përreth globit, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Edhe pse këto statistika japin një peizazh të sjelljes së popullsisë në Shqipëri pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, saktësia e tyre varet nga kampioni i personave që përdorin telefonat ‘Iphone’ dhe shërbimin ‘Maps’, duke pasur parasysh që shërbimet për kërkesa adresash dhe udhëzime drejtimi përdoren më shumë në vende e mëdha se sa në vende të vogla si Shqipëria.

Që nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19 në Shqipëri 663 persona janë infektuar me koronavirusin e ri SARS-CoV-2 dhe 27 pacientë kanë humbur jetën.(BIRN)