I ftuar sonte në emisionin “Opinion”, Administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë në total 227,568 abonentë.

Sipas Çelës, e rëndësishme është që qytetarët të kuptojnë që “aministia” në këtë rast përfshin vetëm vlerën e kamatëvonesës që abonenti ka në sistem deri në 31 Dhjetor 2019 dhe jo vlerën e kamatëvonesës që një abonent mund të ketë gjeneruar gjatë 3 muajve të fundit. Nëse abonenti nuk e paguan faturën aktuale mujore brenda afatit ai nuk i shpëton dot kamatëvonesës.

“Kusht që ata të përfitojnë faljen e kamatës është që të kenë një aktmarrëveshje valide me OSHEE-në. Ata që nuk e kanë një të tillë por kanë detyrime të vjetra, gjithashtu duhet të nënshkruajnë brenda Qershorit një aktmarrëveshje për të përfituar faljen e kamatës. Që nga dita e hënë, të gjithë ata abonentë që e kanë patur këstin e pagesës së aktmarrëveshjes pas datës 14 duhet të paraqiten në zyrat e OSHEE për të bërë riskedulimin e saj dhe reflektimin e faljes së kamatës”, theksoi Çela.

Ai që ka një borxh të akumuluar por nuk ka një aktmarrëveshje duhet të paraqitet brenda Qershorit të nënshkruajë atë dhe të përfitojë njësoj nga falja e kamatës”, nënvizoi Çela.

Nga dita e Hënë, secili prej këtyre përfituesve ka mundësinë që të paraqitet në sportelet e OSHEE dhe të sanksionojë hyrjen në fuqi të faljes së vlerës së kamatës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019./Opinion.al