Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve të orës 15:30 në Televizionin Klan, ministri i Turizmit Blendi Klosi u shpreh se ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik në vendin tonë.

Ai u shpreh se i takon mjekëve që të vendosin se kur mund të hapen plazhet dhe sesi do të funksionojë në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kjo ditë shënonte hapjen e sitës së plazhit, do duhet të ishin plazhet plot, por pandemia na ka vënë në rrezik dhe them që prioritet është jeta e njerëzve, pastaj teknikat dhe politikat, për hapjen më shumë a më pak do e vendosin doktorët. Ka ardhur koha të mendojmë për turizmin, kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi duke bërë pushime brenda kufijve.

Ajo që do punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë janë parimet e Organizatës Botërore të Turizmit por dhe me dakordësim me partnerët e rajonit, po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që dhe këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019, do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”.

Ndërkaq Klosi u shpreh se vendi jonë ka kapacitet në strukturat hoteliere për të përballuar turistët vendas e jo vetëm.

Sa i takon të ardhurave që turizmi pret të përfitojë, Klosi thotë se ky vit nuk do t’i kapë dot shifrat e një viti më parë, por do të shihet mundësia për të shfrytëzuar këto kapacitete që kemi për të kaluar madje edhe disa nga vendet e rajonit që kanë struktura mjaft të mira hoteliere.